Një muaj pasi Këshilli Prokurorial e ka propozuar Blerim Isufajn për kryeprokuror, presidentja Vjosa Osmani nuk ka vendosur ta dekretojë ose jo. Në Zyrën e presidentes Osmani thanë që nuk kanë ndonjë presion kohor, meqë nuk ka afat ligjor të përcaktuar lidhur me dekretimin e kryeprokurorit. Por, juristët thonë se stërzgjatja e vendimit nga shefja e shtetit mund të interpretohet edhe si shkelje kushtetuese
Prej gati një muaj pozita e kryeprokurorit të shtetit ka mbetur me ushtrues detyre, e në Presidencë nuk kanë dhënë sinjale të premten se do të vendoset shpejt për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt, të cilin Këshilli Prokurorial e ka propozuar për kryeprokuror.
Në Zyrën e presidentes Vjosa Osmani treguan se po e trajtojnë në hollësi procesin që i ka paraprirë propozimit të emrit për kryeprokuror dhe thanë që nuk janë në presion të ndonjë afati kohor.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, thotë se shefja e shtetit është duke e trajtuar rastin.
“Presidentja Osmani dhe ekipi i saj i këshilltarëve dhe ekspertëve ligjorë janë takuar me përfaqësuesit e OJQ-ve, si dhe me partnerë të tjerë, nga të cilët janë informuar për ecurinë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për kryeprokuror. Presidentja po ashtu ka kërkuar dokumentacion shtesë nga Këshilli Prokurorial dhe i njëjti është duke u trajtuar në hollësi”, ka thënë Kupina. “Nuk ka ndonjë afat ligjor të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi lidhur me dekretimin e kryeprokurorit, prandaj nuk bëhet fjalë për zvarritje, por për trajtim të kujdesshëm të kësaj çështjeje”.
Në nenin 22 të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës saktësohet procedura për propozimin dhe emërimin e kryeprokurorit të shtetit, por aty nuk ka të listuar ndonjë afat për kohën brenda së cilës shefja e shtetit duhet ta bëjë dekretimin, pasi ta marrë propozimin nga KPK-ja.
“Këshilli bën nominimin e kryeprokurorit të shtetit nga radhët e prokurorëve dhe ai emërohet nga presidenti për një mandat shtatë (7)-vjeçar, pa mundësi riemërimi”, shkruan në këtë nen të Ligjit.
Por, juristët thonë se në mungesë të rregullimit ligjor, duhet të merret parasysh parimi i analogjisë.
Mazllum Baraliu, profesor i Juridikut, thotë se kjo çështje nuk duhet të zvarritet sepse nga vonesat mund të shkaktohen jo pak dëme.
“Maksimumi i ushtrimit të detyrës, parimisht në bazë të principit të drejtësisë, është 6 muaj. Edhe në këtë rast nuk do të duhej as të afrohej ky afat e të tejkalohet, sepse nëse mbetet zvarrë kjo punë, pasojat janë, siç e thamë, për sistemin prokurorial dhe për gjyqësinë e drejtësinë, e për shoqërinë, të mëdha, madje edhe të pariparueshme”, ka thënë Baraliu.
Ai ka thënë se nëse mungesa e vendimmarrjes nga presidentja është e tejzgjatur, kjo mund të interpretohet edhe si shkelje e aktit më të lartë juridik të shtetit.
“Nëse tejkalohet më shumë se 6 muaj, natyrisht se mund të ketë shkelje eventuale kushtetuese”, ka thënë Baraliu.
Për pasojat që burojnë nga kjo situatë, kanë folur edhe në shoqërinë civile.
Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se kjo pozitë nuk duhet të lihet me ushtrues detyre. Megjithëkëtë, ai ka theksuar se nuk duhet të dekretohet një kandidat, i cili, sipas tij, është zgjedhur në mënyrë të kontestueshme.
“Përkundër faktit që ushtruesi i detyrës ka të gjitha kompetencat, e krijon një pamundësi që ai person të mund të zhvillojë një strategji afatgjate, mbi vizionin e tij se si e sheh një institucion të caktuar. Kjo ndikon edhe në kuptim të sistemit prokurorial, sepse ky sistem nuk do ta ketë një kryeprokuror, i cili do zhvillojë politikat në kuptim të vizionit të tij dhe kjo është problematika kryesore”, është shprehur Shala.
Pas përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit, ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit është caktuar Besim Kelmendi.
Në Këshillin Prokurorial nuk shprehën ndonjë pritje për kohën brenda së cilës mund të ndodhë dekretimi, por thanë të jenë të gatshëm të ofrojnë çfarëdo informate që lidhet me procesin që i ka paraprirë propozimit për kryeprokurorin.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka pasur takime me presidenten e Republikës së Kosovës, përveçse kemi dorëzuar dosjen e kompletuar për kandidatin e përzgjedhur për kryeprokuror të shtetit në afatet e parapara ligjore. Njëkohësisht, jemi të gatshëm në çdo kohë për t’iu përgjigjur çdo kërkese për vënien në dispozicion të çfarëdolloj dokumentacioni të kërkuar për procedurën e përzgjedhjes së kandidatit të mundshëm për kryeprokuror të shtetit”, thuhet në një përgjigje të shkruar të KPK-së.
Procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit është kritikuar nga shoqëria civile dhe nga ndërkombëtarët.
Organizatat joqeveritare, në disa reagime të përbashkëta, kanë theksuar se paneli nuk i ka vlerësuar të gjithë kandidatët në mënyrë të barabartë dhe kanë theksuar se disa prej kandidatëve janë privilegjuar nga anëtarët e panelit. Sipas një reagimi të tyre, KPK-ja ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të sqarojë e të sigurojë për integritetin e kandidatit për kryeprokuror të shtetit dhe kanë kërkuar që procesi të kthehet në pikën zero.
Megjithëkëtë, mes pesë kandidatësh që i ishin rrekur garës për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial, KPK-ja unanimisht ka votuar për Blerim Isufajn, i cili është kryeprokuror i Prokurorisë Speciale. Me procesin kanë thënë të jenë ndarë të zhgënjyer ambasadori i ShBA-së në Kosovë, ai i Britanisë së Madhe, ambasadori i Gjermanisë e edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian.
Në garë për kryeprokuror të shtetit kanë qenë edhe Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sylejmani dhe Shqipdon Fazliu.