Arbëri

Presidenca: Për të ecur me sukses drejt KiE-së duhet koordinim brenda institucioneve

Vjosa Osmani

Presidenca ka thënë se për të pasur një ecje të suksesshme të Kosovës drejt Këshillit të Evropës, duhet pasur paraprakisht koordinim brenda institucioneve, por edhe me aleatët. 

Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se koordinimi mes tre krerëve të institucioneve nuk ka ekzistuar dhe se veprime të tilla nuk e ndihmojnë Kosovën. 

“Konkretizimi i zotimeve të 22 marsit 2024 (e jo të prillit, siç thuhet nga MPJD-ja) mund të bëhet vetëm pas pajtimit në mes të tre krerëve të institucioneve, gjë që nuk ka ndodhur. Veprime të tilla janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nuk e ndihmojnë Kosovën. Prandaj në mënyrë që Kosova të ecë suksesshëm drejt KiE, është me rëndësi që veprimet shtetërore të koordinohen paraprakisht edhe brenda institucioneve, por edhe me aleatët të cilët po e përkrahin anëtarësimin e Kosovës”, ka thënë Kupina, i cili ka shtuar se presidentja Osmani po e vazhdon angazhimin “që sa më parë të mbahet seanca për anëtarësimin e Kosovës në KiE”.