Ai ka njoftuar të enjten se u tentua të provokohej delegacioni i Kosovës nga pala maqedonase, derisa për këtë incident është detyruar të reagojë Policia e Kosovës “për ta hapur rrugën”.
“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”, thuhet në njoftimin e Kupinës.
Ai ka bërë me dije se stafi i aeroportit ia ka marrë çantën personale të dorës Osmanit “edhe pse kjo ishte kundër rregullave”.
“Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal. Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedent dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse”, thuhet tutje.
Osmani e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi “të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar”.
“Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në menyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”, përfundon njoftimi i këshilltarit të Osmanit.
BDI: Dënojmë skandalin diplomatik ndaj Osmanit, të përfshirët të japin përgjegjësi politike e ligjore
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka dënuar incidentin ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit, duke e quajtur “incident skandaloz diplomatik”.
“Kjo pasqyrë e shtetit ndaj çdo qytetari, e në veçanti ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit, e në këtë rast motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova, është e papranueshme dhe duhet dënuar në formën më të ashpër”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI-ja skandaloze e ka quajtur edhe përfshirjen në rast të anëtarit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
“Involvimi i shefit të sigurimit të kryetarit jolegjitim të Kuvendit Afrim Gashi në incident, duke e thelluar atë, pa pasur asnjë kompetencë, pa qenë të thirrur dhe pa të drejtë, është gjithashtu skandaloz dhe flet zëshëm për gjendjen e mjerueshme dhe vazale në të cilën është përfaqësimi jolegjitim shqiptar në qeverinë monoetnike”, thuhet në reagim.
Për këtë ata e kanë akuzuar koalicionin VLEN.
“Humbësit e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare pranuan rolin e të nënshtruarit dhe servilit, vetëm për të qenë në pushtet për veten e tyre, duke lënë në mëshirën e VMRO DPMNE-së, fatin e shqiptarëve në vend dhe në rajon. Mungesa e legjitimitetit, por edhe e dijës dhe guximit, të bën të turpërohesh para qytetarëve dhe para motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri, por edhe në Uashington e Bruksel”, thuhet në reagim.
Ata kanë thënë se të përfshirët duhet të japin përgjegjësi.
“Mohimi i incidentit nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, involvimi i paligjshëm dhe anarkik i sigurimit personal të Gashit që nxiti incident edhe më të madh, nuk guxojnë të kalojnë pa përgjegjësi politike bashkë me përgjegjësinë ligjore të të gjithë të involvuarve në këtë skandal diplomatik”, thuhet në reagim.
Osmanit iu tentua t’i merrej telefoni në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, derisa Presidenca ka thënë se pati tentim edhe të shtyhej fizikisht.
Aeroporti i Shkupit pas incidentit me Osmanin: Vepruam në përputhje me ligjet
Kompania e cila menaxhon me Aeroportin e Shkupit, TAV, në reagimin e saj pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se siguria e pasagjerëve nuk është rrezikuar dhe se veprimet e tyre kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi.
Në reagim thuhet se sipas legjislacionit në fuqi, ata e kanë obligim që të kryejnë kontrolle për të gjithë pasagjerët.
“TAV Maqedonia informon se në pajtim me Ligjin për Aviacionin dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare lidhur me sigurinë e aviacionit civil ... operatori i aeroportit e ka detyrim ligjor të kryejë kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se edhe pasagjerët që udhëtojnë nëpër pjesën VIP janë gjithashtu subjekt i kontrolleve.
VLEN pas incidentit të Osmanit: MPB-ja dhe shteti nuk kanë kompetencë mbi sigurinë e aeroportit
Koalicioni VLEN kanë reaguar pasi incidentit të presidentes Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit.
Në reagimin e VLEN-it thuhet Ministria e Punëve të Brendshme dhe shteti nuk kanë kompetencë mbi sigurinë e aeroportit, dhe se kjo është në kompetencë të koncesionarit, në këtë rast TAV-it.
Në reagimin e tyre thuhet se sipas Konventës së Vjenës, udhëheqësit shtetërorë kanë trajtim të veçantë gjatë udhëtimit, por detajet e protokolleve të sigurisë i përcakton koncesionari i aeroportit.
VLEN-i në reagimin e tyre e kanë akuzuar BDI-në se “po përdor gënjeshtra dhe manipulime në përpjekje për të dëmtuar vetëm VLEN-in, pa u shqetësuar për pasojat që mund t'i sjellë Kosovës”.
“Një keqkuptim i ngjashëm ka ndodhur edhe kur Talat Xhaferi ishte kryeministër teknik, pse BDI-ja nuk flet për këtë? Dhe e ftojmë BDI-në të përgjigjet nëse gjatë udhëtimeve të tyre kanë shmangur skanerat. Edhe një herë i bëjmë thirrje BDI-së të ndalojë përhapjen e manipulimeve dhe të ndalojë dëmtimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa opinionin e ftojmë të mos bie pre e propagandës së BDI-së”, thuhet në reagim.
MPJD: Po mbledhim informacione për incidentin e Osmanit
MPJD-ja tha në reagim se ka kërkuar edhe sqarime zyrtare nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me shqetësim ka mësuar rreth incidentit të shkaktuar në Aeroportin e Shkupit në raport me trajtimin jodinjitoz të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t'u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tonë”, thuhet në njoftimin e plotë të publikuar në Facebook.
Grubi pas incidentit të Osmanit: Kosovë, na fal
“Kosovë, na fal! Nga zot shtëpie në qiraxhi, nga vendimmarrës në vasal, nga krenar në puthadorë, nga dinjitozë në pakurrizor, nga faqebardhë në faqezi, nga të ditur në injorantë, nga guximtar në frikacak, nga qeverisës në shërbëtorë, nga fitimtar në humbës, nga Europa e Amerika në Rusi e Serbi, nga Ali Ahmeti në Ivan Stoilkoviq!”, ka shkruar Grubi.
Osmanit iu tentua t’i merrej telefoni në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, derisa Presidenca ka thënë se pati tentim edhe të shtyhej fizikisht.
Incidenti i Osmanit, kryeparlamentari Gashi: Sigurimi u përfshi për ta qetësuar situatën
Në një reagim, kabineti i Gashit ka thënë se sigurimi është përfshirë me qëllim që të udhëzohet sigurimi i aeroportit për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave të rëndësishëm.
“Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP. Me këtë rast theksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz. Pas kësaj u bëjmë thirrje edhe mediave që kanë raportuar për këtë ngjarje, që ta verifikojnë informacionin e tyre para se të publikojnë pretendime të tilla dhe të veprojnë me përgjegjësi profesionale dhe etike”, thuhet në reagim.
Aleanca për Shqiptarët dënon incidentin me presidenten Osmani
Aleanca për Shqiptarët e ka quajtur sulm skandaloz ndaj Kosovës incidentin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit.
Aleanca ka kërkuar që të hetohet rasti dhe të dënohen përgjegjësit.
“Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër provokimin e rëndë ndaj Republikës së Kosovës, përmes sjelljes skandaloze të zyrtarëve të Aeroportit të Shkupit ndaj Presidentes së Republikës, E.S. Vjosa Osmani. Kërkojmë urgjentisht që autoritetet kompetente të hetojnë dhe të sanksinojnë të gjithë personat përgjegjës për këtë sulm skandaloz ndaj autoritetit të Presidentes së Kosovës, duke shkelur të gjitha protokolet dhe konventat ndërkombëtare. Qeveria e VMRO-së përmes vazalëve të VLEN, duke mos u mjaftuar me degradimin që u kanë bërë shqiptarëve në RMV, tani tentojnë që të nënçmojnë dhe ofendojnë edhe Kosovën, madje deri edhe Presidenten e Republikës së Kosovës. Për ne ky rast nuk është një incident i thjeshtë, por një provokim i rëndë për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të kërkojnë falje nga i pari i Qeverisë, deri tek personat që kanë qenë pjesëmarrës në këtë rast”, është thënë në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët.
MPB-ja e Maqedonisë së Veriut jep versionin për incidentin e presidentes Osmani
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut e ka konfirmuar incidentin që i ndodhi të enjten presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, duke thënë se iu kërkua telefoni që ajo të kalonte për t’u skanuar.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se tre persona të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kanë shkuar aty “dhe kanë filluar t’i kërcënojnë punëtorët e TAV-së (Aeroportit) dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.
“Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Në reagim u tha se në këtë incident është përfshirë edhe një punonjës policie i pikës kufitare. Autoritetet maqedonase thanë se po e hetojnë rastin.
“Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet tutje.