Presidenca e Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se kompania e njohur amerikane “Amazon” e ka njohur Kosovën dhe e ka vendosur në të gjitha platformat e saj.
Presidenca e ka cilësuar këtë moment të rëndësishëm në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit.
“Kosova është njohur zyrtarisht nga kompania Amazon dhe është përfshirë tashmë në të gjitha platformat e saj. Me përfshirjen në të gjitha platformat e Amazon-it, Republika e Kosovës shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit. Kjo arritje vjen si rezultat i takimeve të nivelit të lartë të mbajtura në tetor të këtij viti, ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesve të kompanisë Amazon në Washington D.C., SHBA. Këto diskutime janë gjithashtu pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga Task Forca për Diplomacinë Digjitale, një iniciativë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, e mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Prania në “Amazon” ua mundëson individëve e bizneseve t’i prezantojnë produktet para audiencës globale në “amazon.com”.
“Ky zhvillim gjithashtu lehtëson qasjen për konsumatorët, të cilët mund të lidhen pa pengesa me një nga platformat më të mëdha të tregtisë elektronike në botë, si dhe përdorimin e shërbimeve si: Amazon Web Services (AWS), Amazon Alexa, etj. Ky zhvillim është një dëshmi e qartë e fuqisë së diplomacisë dhe bashkëpunimit publiko-privat në avancimin e interesave ekonomike dhe zhvillimit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Amazon.com” është kompani teknologjike amerikane e përfshirë në tregtinë online, reklamimin dhe transmetimet digjitale.