Presidenca e Kosovës tha se ende s’ka pranuar letër nga Kuvendi për mbajtjen e seancës për konstituimin e Kuvendit, pasi dështoi ajo e së martës.
“Deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi. Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, ka njoftuar Bekim Kupina, këshilltar për media në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani.
Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasin më tepër se 48 orë.
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, u shpreh ai.
Konstituimi i Kuvendit dështoi pasi s’ka kaluar raporti i Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë votuar kundër raportit, e Lista Serbe ka abstenuar.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues. Anëtari i Komisionit nga LDK-ja, Armend Zemaj, ka thënë se kanë votuar kundër raportit, pasi “nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes kreut aktual të Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kabinetin qeveritar. Në letër thuhet se Kurti dha dorëheqjen me ministrat për të bërë betimin si deputetë të Kuvendit.
