Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë kritikuar Qeverinë për mospërmbushjen e zotimeve. Sipas tyre, një premtim elektoral i partisë në pushtet ishte edhe shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Por edhe pas dy vjetësh qeverisje, procesi për shuarjen e AKP-së nuk ka filluar.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se përveç se nuk është shuar AKP-ja, ajo është afruar edhe më shumë pranë kryeministrit.
“Pjesë e programit qeverisës, por edhe pjesë e programit zgjedhor të kësaj partie gjatë fushatës së kaluar ka qenë që privatizimi qenka i dështuar si proces në Kosovë, prandaj dhe AKP-ja si agjenci përgjegjëse për procesin e privatizimit duhet mbyllur sipas kësaj Qeverie dhe do të ishte një nga hapat e parë që do të merrte kjo Qeveri ose kjo parti sapo të vinte në pushtet”, ka thënë ai për EO. “Tanimë jemi në prag të dyvjetorit të kësaj partie në pushtet të kësaj Qeverie dhe AKP-ja nuk është mbyllur, në fakt është afruar edhe më shumë te kryeministri i Kosovës, pra ka kaluar si pjesë e Zyrës së Kryeministrit duke raportuar drejtpërdrejtë kryeministrit dhe gjatë këtyre dy viteve në pushtet të kësaj partie, AKP-ja vazhdon procesin e privatizimit të aseteve shoqërore të Republikës së Kosovës dhe tashmë nën drejtim të vet kryeministrit të Kosovës sepse thashë që kryeshefi i AKP-së tanimë i raporton kryeministrit të Kosovës”, u shpreh Mustafa.
Sipas tij, procesi i privatizimit po vazhdon edhe më tutje. Ai ka thënë se Qeveria Kurti ka mashtruar edhe me krijimin e fondit sovran.
“Privatizimi i aseteve shoqërore në Republikën e Kosovës, tanimë po vazhdon me hovin e njëjtë me ato valët e privatizimit, nën udhëheqjen e vetë kryeministrit të Kosovës, si për të hedhur pra për të krijuar një mjegull për t’i hedhur qytetarëve hi në sy, u lind edhe ose doli edhe ideja e një fondi sovran që do të mblidhte asetet siç i quajtën këta, strategjike nga AKP-ja për të krijuar një fond tjetër. E as ky nuk është gjëkundi, ajo që është edhe më e keqja se nuk kemi asnjë sqarim të mirëfilltë në këtë fond sovran, pra edhe pse nuk ekziston ende, nuk kemi asnjë sqarim të veçantë ose më të detajuar mbi këtë fond sovran se çka nënkupton ky”, u shpreh tutje Mustafa.
Njëjtë mendon edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ndonëse thotë se është proklamuar në kohë fushate që të mbyllet AKP-ja, e njëjta është po zhvillohet tutje.
“Në fakt jo që nuk po e mbyll por po e zhvillon më tutje dhe duke parë që ka edhe valë të tjera të privatizimit po e shohim që nuk e ka as ndërmend që të mbyll por të keqpërdorë tash me numrin e madh dhe me mundësinë që të kapë çdo institucion dhe dihet fare mire që ky institucion është i vendosur nga vetë VV-ja me bordin dhe emërimin e tyre në atë bord”, ka thënë ai për EO
Sipas Lushtakut, AKP-ja, po keqpërdoret sikurse institucionet tjera.
“Nuk është vetëm çështja e punësimit, por dëmi që mund t’i bëhet çdo institucioni që po e menaxhon VV-ja po e keqmenaxhon me dashje apo pa dashje duke pruar humbje të mëdha për buxhetin e Kosovës dhe në këtë drejtim nuk po e lë mangët as AKP-ja. Ka qenë edhe në planifikim që të mbyllet vetë AKP-ja, kjo nuk ka qenë vetëm politikë e VV-se po ka qenë e institucionalizuar në aspektin praktik të institucioneve të Kosovës. Ky fokusim i premtimeve apo propagandës se VV-së ka qenë vetëm kamuflim i tyre që realisht në faza afat shkurta AKP-ja është dashtë të mbyllet ligjërisht. Po keqpërdoret teje mase duke pasur parasysh që VV-ja e ka mundësinë për të keqpërdorur edhe me këtë institucion”, u shpreh ai.
KOHA është duke pritur përgjigje nga Qeveria lidhur me planet për shuarjen e kësaj agjencie.