Dimal Basha, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Haki Abazi, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në garën për deputet, përballen të premten në “Zgjedhjet në KOHË” në debatin për luftën ndaj korrupsionit.
Përplasen Basha e Abazi, akuzojnë njëri-tjetrin për lista me të korruptuar
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Dimal Basha, dhe ai i koalicionit AAK-Nisma, Haki Abazi, janë përplasur në debatin në KTV të premten duke akuzuar njëri-tjetrin për lista me persona të korruptuar.
Teksa Abazi ka akuzuar Vetëvendosjen se ka tentuar që Vigan Qorrollin ta vendoste në Gjykatë Kushtetuese për shkak “se është i dëgjueshëm”, Basha ka thënë se do t’i pranonte akuzat e AAK-së “sikur të mos ishte në listë me Pal Lekajn, Endrit Shalën e Vesel Krasniqin”.
Abazi i është përgjigjur duke e akuzuar Bashën për listë të njëjtë me “Sali Zybën, Gani Krasniqin e Fitore Pacollin”.
Gjatë debatit, Basha ka thënë se emrat e përmendur nga Abazi nuk janë njerëz të korruptuar e s’kanë raste të korrupsionit.
Ndërsa Abazi u përgjigj se Qorrollin e përmend për “fenomenin për të kapur institucion”.
Abazi-Bashës: Ti s’guxon me bë zë kur të thotë Dejona Mihali mos fol
Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, nuk guxon me i bë zë koordinatores së kësaj partie, Dejona Mihali.
Abazi ishte pjesë e LVV-së, por thotë se nuk e dëgjonte Mihalin e as shefen e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila. Për këtë arsye thotë se u largua. E të njëjtën, sipas tij, nuk e bën Basha.
“Për çka po flasim këtu është standardin që është premtuar që do të jetë ndryshe në katërvjeçarin e ardhshëm. Lëvizja Vetëvendosje e ka sabotuar në momentin e fundit komisionin hetimor parlamentar për çështjen e distribucionit. Vetë LVV-ja e udhëhequr nga shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila. Unë e du Dimalin, por Dimali nuk ka guxim mi than Kusari-Lilës është gabim me sabotu komisionin e Parlamentit. Unë nuk e kisha lëshu Kusari-Lilën, ky e lëshon, e mban kryt te poshtë kur ka mbledhje Grupi Parlamentar i LVV-së. Nuk mundemi në mënyrë selektive me bë drejtësi. Drejtësia fillon prej atyre grupeve parlamentare kur ti s’guxon me bë zë kur është interesi i partisë dhe kur thotë Dejona Mihali mos fol”, u shpreh Abazi në KTV.
Por Basha ka thënë se i ka shprehur të gjitha pakënaqësitë që ka pasur.
“...por i kemi kaluar 282 ligje dhe kjo flet për këtë punë”, deklaroi ai.
Basha-Abazit: Më vjen keq që je në AAK, Pal Lekaj nuk i zgjidh probleme kurrkujt
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha, i ka shprehur keqardhje Haki Abazit që është pjesë e listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Teksa po diskutohej për sistemin e drejtësisë në KTV të premten, Basha ka thënë se Abazi është në të njëjtën listë me Pal Lekajn që u dënua për aferën 53-milionëshe. Sipas Bashës, Lekaj nuk i zgjidh probleme askujt në Kosovë.
“Unë jam i pakënaqur me dënimin e Pal Lekajt që i ka marrë tri vjet e tetë muaj me vendim të formës së prerë për aferën 53 milionë euro, jam i pakënaqur me anëtarin e AAK-së, Blerim Kuçi, që i ka dhënë tender 5 milionë euro kompanisë së vet. Për këtë po them, le të merren me krejt (drejtuar sistemit të drejtësisë), edhe me të partisë teme. Ti (Haki Abazi) je me qata të njëjtit, më vjen keq që je me ta sepse nuk mendoj që Pal Lekaj i zgjidh problem kerkujt në këtë Republikë”, u shpreh Basha.
Abazi akuzon VV-në se i bëri presion Prokurorisë për t’i liruar nga akuza Kusari-Lilën dhe Rashiqin
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se i ka bërë presion Prokurorisë Speciale për t’i liruar nga akuza shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ministrin e kësaj qeverie, Nenad Rashiq.
Në debat në KTV të premten, ku ishte i pranishëm edhe kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha, Abazi ka thënë se rasti ka të bëjë me privatizimin e tri mikro-hidrocentraleve në prona publike.
“E kemi rastin e privatizimit të distribucionit për energji elektrike që ka qenë në Prokurori Speciale, ku kanë qenë të përfshirë dy bashkëpunëtorë të Kurtit, Mimoza Kusari-Lila dhe Nenad Rashiq. Të dy janë liruar nga aktakuza me thirrjen telefonike nga Lëvizja Vetëvendosje, me presion të tyre. Aktakuza nga prokurori Atdhe Gashi thotë se privatizimi i distribucionit për energji elektrike është bërë në momentin kur tenderuesi, një kompani turke që e ka sot në pronësi, e ka bërë ofertën. Brenda aty janë të përfshira tri mikro-hidrocentrale gjeneruese, të cilat janë privatizu dhe janë prona publike. Përfundimi është se janë liruar nga aktakuza të gjithë nënshkruesit ndërministror si të pafajshëm për dhënien e tre mikro-hidrocentraleve. Kjo punë është bërë me presion. Qeveria i ka bërë presion drejtësisë për ta heshtur këtë rast. Në aktakuzë, qartazi thuhet se këta kanë bërë shkelje sepse e kanë privatizuar kapacitetet gjeneruese. Dhe në fund dalin të pafajshëm, si është e mundur kjo punë?”, ka thënë Abazi.
Por me këtë nuk u pajtua kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha.
“Nëse ki fakte, pajtohem. Kur s’ka fakte, ato mbesin pretendime”, ka thënë Basha.