Premtime me vlerë miliardëshe kanë nisur të japin partitë politike, ende pa nisur fushata për zgjedhjet, data për të cilat ende nuk është caktuar.
Në buxhetin për vitin 2021, janë paraparë vetëm 86 milionë euro për të subvencionuar bizneset dhe qytetarët e prekur nga pandemia.
Por, për sivjet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëse vjen në pushtet ka premtuar 1 miliard euro për këtë qëllim.
Këtë, kryetari i saj, Ramush Haradinaj, ka thënë se do ta bëjë përmes krijimit të një fondi që e ka quajtur për “Mbijetesë Ekonomike”.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ditët në vijim do të publikojë programin ekonomik 2021 - 2025, në kuadër të të cilit do të prezantohet projekti për Fondin e Mbijetesës Ekonomike, me vlerë mbi 1 miliard euro, për vitin 2021. Ky fond do të garantojë përkrahjen për bizneset, kthimin e punëtorëve që kanë humbur vendet e punës për shkak të gjendjes pandemike, mbështetjen për familjet në krizë ekonomike e shumë benefite të tjera”, ka thënë Haradinaj.
Por, zyra për media e kësaj partie nuk ka treguar se ku do të merren këto para, duke thënë se detajet do të bëhen të ditura gjatë ditëve në vijim.
Premtimet i ka nisur edhe PDK-ja. Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Enver Hoxhaj, u ka premtuar policëve se do t’ua rrisë pagat.
Të martën, as Hoxhaj nuk ka dhënë informacione se si mendon ta realizojë këtë premtim.
“Do të flas për premtimet tona se si do t'i mbështesim sektorët e caktuar. Do të jem shumë i saktë, shumë i qartë se nga do të vijnë financat për çdo pikë programore... Kur të është tema e radhës do ta keni përgjigjen e radhës", ka thënë Hoxhaj, kandidat i PDK-së për kryeministër.
Premtimet e tilla, Lëvizja “FOL” i vlerëson si të pamundshme për t’u realizuar, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe financiare të Kosovës.
“Në propozimet edhe për rritjen e pagave të policëve edhe të 1-miliardëshit për biznese është thjesht një premtim i kotë pasi që është e pamundur të kemi një fond të tillë. Vetë buxheti i Kosovës gjatë një viti nuk e kalon as 2-miliardëshin në total”, ka deklaruar Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL”.
Sipas Hoxhës, ky lloj i premtimeve tregon mungesë kreativiteti për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve.
Hapja e mijëra vendeve të punës e rritja e pagave në sektorë të caktuar përbëjnë premtimet kryesore të partive në çdo palë zgjedhje.
Data për zgjedhjet e parakohshme ende nuk është caktuar, në pritje të vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për rastin e deputetit Etem Arifi.