Vetëm pesë nga 23 premtimet e bëra gjatë fushatës i ka përmbushur Komuna e Prishtinës në fushën e Arsimit. Nga shtatë shkollat e reja që u premtuan se do të ndërtoheshin, ende asnjë nuk është funksionalizuar. Një raport i GAP-it tregoi se fokusi i komunave në realizimin e premtimeve në arsim është te rritja e bursave për nxënësit. E sipas njohësve, komunat përqendrohen t’i përmbushin ato premtime që sjellin vota
Një muaj e gjysmë më parë është vendosur gurthemeli për ndërtimin e një objekti shkollor në lagjen “Sofali” në Prishtinë, e që atëherë, aty vetëm është pastruar terreni.
Kjo është njëra prej shtatë shkollave që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pati premtuar se do t’i ndërtonte gjatë mandatit, qysh para se ta merrte detyrën.
Gjatë dy vjetëve të fundit, gurthemeli u është vënë edhe tri shkollave të tjera, në të cilat janë duke u zhvilluar punime, por asnjëra ende nuk është funksionalizuar.
E kryetari Rama vlerëson se ka zhvilluar më shumë projekte në sektorin e arsimit sesa që ka premtuar.
“Ne kemi përfunduar shkollën në Vranidoll (e nisur para ardhjes në pushtet të Ramës v.j.) , nuk mundesh me thënë që nuk e kemi përfunduar. Ka qenë e ndalur, ka qenë kurrkah hiç. Pra ne, e kemi marr dhe e kemi përfunduar atë, edhe po ashtu po them po bëjmë më shumë shkolla se sa që kemi premtuar, për arsye se e shohim mundësinë që t’i shtyjmë këto procese përpara, tash kemi gjëra që për fat të keq nuk i kemi në dorë të gjitha si procese të prokurimit”, ka thënë ai.
Sipas një raporti të institutit GAP, nga 23 premtimet e dhëna gjatë fushatës për zhvillim të sektorit të arsimit, vetëm pesë janë përmbushur nga Komuna e Prishtinës, e që kryesisht kanë të bëjnë me bursa e subvencionime.
Bazuar në këtë raport, Gjilani, Mitrovica e Ferizaj prijnë për më së shumti premtime të përmbushura në sektorin e arsimit. Po ashtu, fokusi i këtyre komunave ishte në përmbushjen e premtimeve që kanë të bëjnë më bursat për nxënësit e renovimet të hapësirave të shkollave.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se fokusi i komunave është në ndërmarrjen e veprimeve që sjellin vota.
“Prioritetet në investime kapitale vendosen në bazë të interesit partiak, në bazë të zonave që kanë më shumë interes kryetarët ose kandidatët për kryetarët të komunave sesa një prioritetizim të ndonjë analize të trendëve demografike dhe nevojave të rinisë për shërbime arsimore. Po ashtu, e vërej një mungesë të madhe dhe habitem sa pak i shfrytëzojnë komunat kapacitete e konsiderueshme të mësimdhënësve, në mënyrë që të bëhet një program i mirëfilltë arsimor”, ka thënë Rexhaj.
Testimet ndërkombëtare kanë shpërfaqur brishtësinë e procesit arsimor, pasi nxënës nga Kosova janë renditur në 10 vendet e fundit për lexim dhe matematikë.