Arbëri

Prej katër ditësh mbeten pa transport publik banorët e 15 fshatrave

Qytetarët e rreth 15 fshatrave të Podujevës kanë mbetur pa transport për në Prishtinë, që nga nisja e grevës së Shoqatës së Transportuesve “Llapi”. Për pasojë, ata janë detyruar fillimisht të shkojnë në qendrën e Podujevës dhe më pas të vazhdojnë rrugën drejt kryeqytetit. Ata kanë kërkuar zgjidhje sa më të shpejtë

Greva e Shoqatës së Autobusëve “Llapi” ka lënë pa transport banorët e rreth 15 fshatrave të Komunës së Podujevës tash e katër ditë.

Banorët që destinacion kanë Prishtinën tani detyrohen fillimisht të shkojnë në Podujevë dhe prej aty të vazhdojnë rrugën për në kryeqytet.

Për ta, ky rrugëtim është jo vetëm i vështirë, por edhe i kushtueshëm.

“Duhet me shku në Podujevë. Siç po e shihni, autobusin Podujevë-Batllavë, edhe pastaj me taksi. Domethënë, taksi private. Shtrenjtë është se këtu për shembull na kushton neve 3 euro veç një drejtim. 3 euro andej e 3 këndej 6 euro. Kjo është shumë”, ka thënë Selman Berisha, banor i fshatit Batllavë.

Ankesë për këtë ka shprehur edhe Ymer Bajrami, banor i fshatit Orllan.

“Ne duhet me pas më të sigurt transportin. Atje në punë duhet të shkosh në 7 ora, në Podujevë për me pastru sheshin. Më thirrë shefi më pyet ku je? Duke ardhur po nuk ka autobus, kush t’më merr”, ka thënë ai.

E, Rexhep Zeka, përfaqësues i fshatit Orllan, thekson se mungesa e transportit ka ndikuar ndjeshëm në jetën e përditshme të banorëve.

“Natyrisht mungesa e transportit publik për të gjithë banorët e këtyre fshatrave është një mungesë që ndikon në jetën e përditshme të tyre, duke e ditur që ata e përdorin transportin edhe për të shkuar në punë por edhe qofshin studentë ose edhe forma të tjera”, ka thënë ai.

Zeka ka kërkuar nga institucionet një zgjidhje sa më të shpejtë.

“Natyrisht që ne si banorë kërkojmë nga institucionet përkatëse që të gjejnë një zgjidhje bashkë me kompanitë e autobusëve që sa më shpejtë të fillojë transporti në këtë pjesë sepse e kanë vështirsuar jetën e banorëve”, ka thënë ai.

Greva e Shoqatës së Transportit “Llapi” ka vazhduar edhe të shtunën, pavarësisht reagimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili u kërkoi protestuesve të respektojnë vendimin e Komunës.

Vendimi i ri i Komunës së Prishtinës, që ndalon hyrjen e autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë në qendër të kryeqytetit, ka shkaktuar pakënaqësi te kompanitë transportuese nga Komuna e Podujevës.

Si shenjë proteste, ata prej të mërkurës janë duke protestuar para komunës në kryeqytet, duke bllokuar njërin shirit të rrugës me parkimin e autobusëve të tyre.