Arbëri

Prej dy vjetësh, Zyra e Kryeministrit mban jashtëligjshëm u.d.-në e sekretarit të Përgjithshëm

Zyra e Kryeministrit prej më shumë se dy vjetësh në kundërshtim me ligjin po e mban me ushtrues detyre pozitën e sekretarit të Përgjithshëm. Në këtë pozitë qëndron kandidati i vlerësuar si i treti, në konkursin e para dy vjetëve, ndonëse ligji thotë se tashmë pozitën është dashur ta marrë kandidati më i vlerësuar nga procedura e rekrutimit. Në shoqërinë civile shprehin drojën se mbajtja e këtyre pozitave të larta me ushtrues detyre mund të keqpërdoret politikisht

Ka më shumë se dy vjet që Zyra e Kryeministrit, në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, po mban me ushtrues detyre pozitën e sekretarit të Përgjithshëm. Në këtë pozitë qëndron, Arben Krasniqi, nga qershori i 2021-s, të cilit, sipas ligjit, më së largu do t’i lejohej ushtrimi i këtij funksioni deri në qershor të 2022-s.

Qeveria, ndonëse i pati përfunduar procedurat e rekrutimit dhe pati publikuar listën e kandidatëve fitues në korrik të 2022-s, ende nuk e ka emëruar sekretar asnjërin nga tre personat e listës së ngushtë. Në këtë listë ishin Lulzim Beqiri me më së shumti pikë, pas tij, Florim Canolli e Arben Krasniqi, që është ushtrues detyre aktualisht.

Ema Pula, hulumtuese në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, tregon procedurën se si është dashur të veprohet nga kryeministri Albin Kurti, qysh para dy vjetëve.

“Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, të kaluarit, me të cilin është shpallur kjo procedurë, është dashur që mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, në këtë rast, kryeministri të bëjë përzgjedhjen e njërit prej këtyre tre kandidatëve dhe ta dërgojë për miratim në Qeveri brenda një afati 10 ditor dhe ta arsyetojë këtë përzgjedhje. Kjo nuk ka ndodhur. Në këto raste ligji i kaluar ka paraparë që pas tejkalimit të këtij afati 10 ditor shkon i pari kandidati i parë me më së shumti pikë”, thotë ajo.

Megjithatë pas kaq shumë kohësh, Beqiri, si i pari kandidat, nuk ka marrë detyrën që i takon sipas ligjit.

Në Qeveri nuk janë përgjigjur se pse nuk është emëruar sekretari i Përgjithshëm, por vetëm kanë folur për procedurat e përfunduara të konkursit.

“Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, kryeministri Kurti ka ushtruar kompetencat e tij lidhur me përzgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm nga konkursi i kaluar. Për këtë është njoftuar organi përgjegjës. Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka qartësuar interpretimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë lidhur me ushtruesit e detyrës. Institucionet tona do të veprojnë sipas udhëzimeve nga qarkorja e Divizionit për Zyrtarët Publikë”, thuhet në një përgjigje të Qeverisë.

Ndërkaq, hulumtuesja Ema Pula ka thënë se mbajtja kaq gjatë e ushtruesve të detyrës nëpër pozita të larta drejtuese mund të keqpërdoret politikisht.

“Mbajtja e këtyre pozitave qoftë të larta drejtuese, por edhe të tjera drejtuese, qoftë të nivelit të mesëm apo të ulët, është tejet e rrezikshme, sidomos për periudha kaq të gjata.. Kjo praktikë tregon se të njëjtët mund të jenë pre e ndikimit politik, presionit të përditshëm, pasi që këta ushtrues detyre vendosen në këto pozita me një vendim, mund të emërohen dhe shkarkohen me një vendim për shkak të mungesës së një procedure të mirëfilltë të rekrutimit”, është shprehur ajo.

Në shtator të 2021-s është hapur konkursi për sekretar në Zyrë të Kryeministrit. Procedura është realizuar deri në shpallje të kandidatëve fitues, por është anuluar pas konstatimit për shkelje procedurale. Pas tij, në prill të 2022-s, është hapur konkursi i dytë nga i cili në korrik patën dalë fitues tre kandidatët, asnjëri nga të cilët ende nuk është emëruar.

Ligji thotë se vendimet e ushtruesve të detyrës, pas skadimit të mandatit, janë të jashtëligjshme.

Aktualisht, 7 nga ministritë funksionojnë me ushtrues të detyrës së sekretarit.

Në Ligjin për Zyrtarët Publikë që është në amendamentim e sipër në Kuvend, Vetëvendosje që udhëheq me Qeverinë, ka propozuar që nga periudha 6 plus 6 muaj sa është e lejuar të ushtrohet funksioni nga një ushtrues detyre, të zgjatet deri në 2 vjet.