Me situata krejt jashtë atyre të zakonshmeve është shoqëruar mandati pothuajse njëvjeçar i kryetarëve të zgjedhur fundprillin e shkuar në katër komunat veriore të Kosovës.
Drejtimin e nivelit lokal në Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok e Mitrovicë të Veriut, kryetarët joserbë e morën pas një procesi zgjedhor të bojkotuar nga shumica e qytetarëve serbë.
Në këto komuna, të banuara kryesisht me serbë, kryetarët shqiptarë punën e nisën në situatë të jashtëzakonshme. Përveç atij të Mitrovicës së Veriut, tre kryetarët e tjerë zotimin për ta kryer detyrën, në të cilën u zgjodhën me vota minimale, e bënë nëpër objektet shkollore fshatrash e jo në ato komunale.
Teksa në veri të Mitrovicës, i gjithë procesi u zhvillua pa shumë zhurmë, gjendja ka qenë krejt ndryshe në komunat e tjera.
Tensione, dhunë, protesta e shumë telashe kanë shoqëruar tentimet e kryetarëve të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut për të hyrë në zyrat e tyre.
Situatë më e rrezikshme zotëroi në Zveçan. Aty, me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it e të Policisë së Kosovës u lënduan nga protestuesit e dhunshëm serbë, që e kundërshtonin praninë e kryetarit në objektin e komunës.
Barra për shtensionimin e situatës në tri komunat veriore iu vë Qeverisë së Kosovës.
Asaj, faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ia kërkoi largimin e kryetarëve nga komunat dhe ushtrimin e detyrave të tyre nga distanca.
Dy prej tre kryetarëve që u kundërshtuan me protesta, hoqën dorë nga kryerja e funksioneve prej zyrave komunale dhe u pajtuan që t’i punën ta vazhdojnë në zyra alternative.
E nga objekti i komunës së Leposaviqit, refuzoi të largohet kryetari i saj, Lulzim Hetemi, ani se prania e tij aty u kundërshtua për ditë të tëra me protesta, prej të cilave kryesisht pësuan gazetarët, duke u sulmuar e lënduan nga protestuesit serbë.
Objekti komunal, kryetarit të Leposaviqit i shërbeu si vendstrehim për shtatë muaj.
Ky objekt, sikurse edhe të tjerët komunalë u siguruan nga KFOR-i, mision ky i NATO-s që përveç pjesëtarëve të tij, në perimetrin përreth godinave, vendosi edhe tela gjemborë e rrethoja të hekurta.
Në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje për situatën e krijuar, u kërkua mbajtja e edhe një procesi zgjedhor në katër komunat veriore, pak muaj pasi që ai i një viti më parë u bojkotua nga qytetarët serbë.
Në përshpejtimin e procesit, nga faktori ndërkombëtar u shtrua kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve të zgjedhur, porse opsioni u refuzua nga autoritetet shtetërore.
U refuzua edhe kërkesa e ndërkombëtarëve që krahas kryetarëve, nga veriu të largohej edhe Policia e Kosovës. E për këtë, Kosovës iu vendosën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian e nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këmbim të heqjes së tyre, një dakordim mes Kosovës e BE-së u arrit në korrik.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u pajtuan në Bratislavë për hapat që e synonin shtensionimin e situatës në veri. Krahas zvogëlimit të numrit të policëve dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme pas verës në veri, palët u pajtuan edhe për vlerësimin e situatës së sigurisë, bashkë me EULEX-in e KFOR-in.
Nga BE-ja, Kosova nuk mori garanci se skenari i 23 prillit të 2023-s e mospjesëmarrja e serbëve nuk do të përsëriten në votimet për shkarkim të kryetarëve, kurdo që ato të caktoheshin.
Vjeshta asokohe shihej si një prej periudhave më të afërta për mbajtjen e votimit, e meqë procesi nuk u zhvillua, kryetarët joserbë vazhduan t’i udhëheqin komunat. Disa nga objektet komunale e disa të tjerë nga zyra nëpër fshatra.
Sikurse u premtua në Bratislavë, numri i policëve në dhe përreth objekteve komunale u reduktua. Fillimisht për 25 për qind e më pas deri në gjysmën e tyre.
Institucionet nisën edhe punën drejt votimeve të reja në veri, me peticionin e qytetarëve për inicimin e largimit nga detyra të kryetarëve.
Por ecuria e procesit mbeti nën hijen e sulmit të grupit të armatosur paramilitar serb, drejtuar nga nënkryetari i Listës Serbe, parti kryesore e serbëve në Kosovë, Milan Radojçiq.
I vrarë në këtë sulm të fundshtatorit të shkuar, në Banjskë të Zveçanit, mbeti rreshteri Afrim Bunjaku, e të lënduar edhe dy policë të tjerë. E qëllimi i sulmit, që u parandalua nga Policia e Kosovës, ishte aneksimi i pjesës veriore nga Serbia.
Pas kësaj, çështja e kryetarëve në veri mbeti e heshtur për një kohë. Me gjithë mundësitë e ofruara ligjore, nuk pati lëvizje nga qytetarët drejt largimit të kryetarëve.
E ata që e vazhduan punën nën ombrellën e institucioneve shtetërore, u sulmuan nga bashkëkombësit e tyre.
Iu vu flaka veturës së nënkryetares së Leposaviqit, Dragana Miletiq si dhe asaj të kryetarit të Kuvendit Komunal, Gorski Guriq. U dogj edhe lokali i nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, si dhe vetura e një polici të nacionalitetit serb.
Mbledhja e nënshkrimeve të qytetarëve serbë nisi tek nga mesi i janarit.
Peticioni fillimisht u iniciua në Mitrovicë të Veriut e Leposaviq. Interesimi i qytetarëve në të dyja komunat ishte i madh, derisa turma kryesohej nga figurat kryesore të Listës Serbe.
Nënshkrimet e nevojshme u mblodhën shpejt, e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi procedurat për verifikimin e tyre. Ky institucion pati telashe deri në shpalljen e datës së votimit për largimin apo jo të kryetarëve, shkaku i dallimeve mes anëtarëve e dilemave nëse votimin duhej ta caktonte presidentja, Vjosa Osmani.
Megjithëkëtë, data u caktua e përgatitjet për mbajtjen e procesit nisën.
Rreth tre javë para datës së caktuar për 21 prill, katër komunat veriore i vizitoi kryeministri, Albin Kurti.
Vizita e këtij formati e Kurti ishte e para që nga ardhja e tij në pushtet tre vjet më parë. Ai, ndryshe prej kryetarëve që i përkasin partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk i takoi edhe ata të PDK-së, që funksionet i ushtrojnë në zyrat alternative nëpër fshatra të Zveçanit e Zubin-Potokut.
Me afrimin e 21 prilli, historia e një viti më parë nisi të përsëritej.
Lista Serbe, që për një vit kërkoi zgjedhje në veri dhe e përkrahu nismën për shkarkimin e kryetarëve, u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë edhe këtë proces, kësaj radhe shkaku se nuk mund të arrihej kuota prej 50 për qind, plus një votues.
Krahas kësaj, partia tërhoqi edhe anëtarët në Komisionet Komunale Zgjedhore, e më pas edhe ua ndaloi drejtorëve të shkollave që t’i vënë objektet në dispozicion për procesin e votimit.
Nga 43 syresh, numri i objekteve që KQZ-ja pati në dispozicion ra në 10, derisa u shtuan edhe disa alternative.
Bojkoti nga serbët do të hapë rrugën për një proces të dështuar të largimit të kryetarëve në katër komunat në veri. Si rrjedhojë, edhe për së paku një vit ato do të drejtohen nga kryetarë joserbë, e mbi objektet e tyre do të vazhdojnë të valojnë flamujt e Kosovës.