Dy shtetet shqiptare, në dy shekuj e dy stinë të ndryshme, shpallën pavarësinë. Shqipëria në vjeshtë e Kosova në dimër. Por, shumica e kryengritjeve paqësore e të armatosura për mëvetësinë e tyre do të nisnin në pranverë. Natyra e ringjallur, lehtësi për përpjekjet e shpeshta do të kurorëzoheshin me çlirim. Sidomos gjatë shekullit njëzetë. Megjithatë, vetëm pranvera e ’81-s e demonstratave për me kryekërkesën për Kosovën Republikë njihet si gjerësisht Pranvera. Historia e sloganet e organizimit të saj ende i ndajnë studiuesit e organizatorët.
Themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zgjodhën pikërisht 28 nëntorit 1997 për daljen e parë publike. Në Drenicë. Aty, ku në pranverën e vitit 1998 do të shpërthente përballja frontale me forcat serbe.
Veterani i luftës, Fatmir Arifi, historian në Institutin e Historisë, “Ali Hadri”, thotë se faktorët klimatikë kanë ndikuar historikisht në të gjitha lëvizjet shoqërore e politike të shqiptarëve.
Profesori universitar, Shemsi Krasniqi, është marrë me mbledhjen dhe studimin e kujtesës kolektive. Edhe ai thotë se kushtet e mira klimatike kanë qenë jetike për mobilizimin e popujve për ndryshime radikale. Jetike për shqiptarët e shtypur në pjesën më të madhe të historisë.
Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, Kosova kishte përjetuar ndryshime të rëndësishme në sferën e arsimit e të ekonomisë. Megjithatë, Kosova ende ishte qoshja më e varfër e Jugosllavisë. Po gjatë asaj dekade, autoritetet jugosllave lejuan shkëmbimet arsimore e kulturore ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, duke u dhënë kështu zemër kosovarëve që ëndërronin bashkimin kombëtar. Herë-herë idealizohej edhe diktator shqiptar, Enver Hoxha.
Britaniku John Hodgson menjëherë pas ardhjes në Kosovë në dhjetorin e vitit 1980 për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, kishte vërejtur gjendjen e tensionuar politike. Megjithatë, shihte shpresë në mesin e rinisë studentore.
Gjithçka do të niste në Qendrën Studentore me të dalë syri i pranverës në marsin e vitit 1981. Mjaftoi hedhja e tabakave të ushqimit në shenjë pakënaqësie me kushtet për t’i dhënë zemër një kryengritjeje paqësore.
Shpresa për ndryshim kishte kapluar të madh e të vogël. Madje edhe shkollarët, si Besa Ahmeti, atëherë nxënëse gjimnazi, tani nëpunëse administrate në Kuvendin e Kosovës. Ajo, njëra prej protagonisteve të asaj tashmë edhe në historiografinë tonë njihet si Pranvera shqiptare.
Plumbin e kishte vetëm dy milimetra larg palcës kurrizore. Rrezikonte të mbetej e palëvizshme. Familja dhe miqtë do ta dërgonin Besën pastaj në Slloveni për t’ia hequr plumbin e armikut. Kirurgu slloven i kishte premtuar se do t’ia jepte plumbin për ta ruajtur si dëshmi, por ushtria jugosllave ua kishte marrë mjekëve që Besa të mos e përdorte si fakt për krimin ndaj tinejxheres prishtinase.
Rinia shqiptare e nisi paqësisht. Forcat jugosllave e shtypën me vrasje, burgosje e shtetrrethim.
Por rrëfimi për përpjekjen e Besës për ta vendosur flamurin mbi tankun serb kishte depërtuar edhe në Shqipërinë e mbyllur komuniste. Piktori Zamir Mati do t’i jepte krah historisë së saj në pikturën “Shqipja” më 1984.
Por vetëm tetë vjet pas demonstratave për Kosovën Republikë, regjimi serb do t’ua shtrëngonte edhe njëherë lakun në fyt shqiptarëve të Kosovës me suprimimin e autonomisë më 1989. Pranvera, përsëri stinë gjatë së cilës po shënohej një kthesë tjetër në historinë politike të Kosovës.
Ndryshimet kushtetuese të 23 marsit nxitën demonstrata e protesta masive në të gjitha qytetet e Kosovës. Demonstratat vazhduan edhe më 26, 27 dhe 28 mars të po atij viti, pikërisht në ditën kur Kuvendi i Serbisë në Beograd, në një sesion të jashtëzakonshëm dhe solemn, konfirmoi përfundimisht amendamentet kushtetuese.
Të dhënat e organizatës “Human Rights Watch” dëshmojnë për 140 shqiptarë të vrarë nëpër demonstrata ose burgje serbe. Qindra të tjerë u plagosën dhe 900 demonstrues, ndër ta nxënës, u burgosën ose u gjobitën.
Hodgson do të kthehej në Prishtinë në fillimverën e atij viti për të marrë pjesë në seminarin e Universitetit të Prishtinës, ku studiues shqiptarë e të huaj do të dokumentonin interpretimet manipuluese që politika e historiografia serbe po ia bënte Betejës së Kosovës në rastin e 500-vjetorit të saj.