Arbëri

Pranimi i dokumenteve nuk do të thotë se Serbia e ka njohur Kosovën

Dy ditë pasi Serbia ka pranuar të njohë dokumentet identifikuese të Kosovës është mbajtur një tryezë për “Lëvizjen e lirë” në Qendrën Mediale në Graçanicë. Disa nga pjesëmarrësit kanë thanë se marrëveshja mbetet e paqartë për qytetarët dhe se janë skeptikë sa i përket implementimit të saj. Në këtë tryezë u tha se Serbia me këtë marrëveshje nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa paralajmëruan kryeministrin Kurti se do të përballet me presionin për kompromise të tjera.

Pranimi i dokumenteve identifikuese të Kosovës nga Serbia nuk do të thotë se kjo e fundit e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është thënë në tryezën me temën “Lëvizja e lirë”, që të hënën është organizuar në Qendrën Mediale të Graçanicë. Pjesëmarrësit në tryezë kanë theksuar se Kosova duhet të jetë e gatshme për kompromise të tjera.

“Nga aspekti politik i Serbisë dhe strategjisë që ekziston është një gur themel i rëndësishëm për pavarësinë e Serbisë. Ky nuk është pranim i pavarësisë së Kosovës, por gur themel i fortë për forcimin e pavarësisë së Serbisë. Nga aspekti pragmatik kjo që ka ndodhur këto ditë mund të duket se do të relaksohen marrëdhëniet në Kosovë dhe shpresoj edhe në Serbi, pasi që të gjitha kanë pritur se do të ndodhë diçka. Shpresoj se do të ketë bisedime të mençura që të përfundojë edhe pjesa tjetër e tregimit sa u përket tabelave. Nuk e di tash Kurti sa i është i gatshëm për kompromis a do ta kuptojë se këtë që e ka marrë nga Vuçiqi duhet të presë se do të bëjë kompromis sa u përket tabelave”, ka thënë kryetari i Forumit kombëtar serb, Momçilo Trajkoviq.

Por në bisedimet me Serbinë, Kosovën e presin shumë problematika të tjera.

“Nuk shoh humbës në këtë marrëveshje. Reciprociteti ka qenë një ndër temat e fushatës së Kurtit dhe ka shumë në reciprocitet që janë më të vështira se ky dokumenti këtu. Por mendoj se Kurti e ka zgjedhur këtë se ka simbolikë dhe është më i lehti, si p.sh. ajo çka do të shkaktojë më shumë probleme është njohja e certifikatave sanitare ku janë 5 - 6 masa të tjera që nuk i njeh Serbia”, ka thënë Shpëtim Gashi nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse.

Në këtë tryezë u tha se serbët e veriut nuk janë pyetur fare për këto marrëveshje dhe se Lista Serbe vepron siç thotë Beogradi.

“Si nismë civile nuk e mbështesim Listën Serbe, sepse thjesht nuk ekziston dialogu. Vuçiqi ka thënë se nuk pret ndonjë marrëveshje, këtë e ka vërtetuar edhe Lajçaku. Kjo ka qenë diçka që ne gjithmonë e kemi pritur. Sa i përket Listës Serbe, ata mbështesin gjithçka që kërkon Beogradi, për asnjë moment nuk kanë ndalur askënd të pyesin popullin nëse ata pajtohen me të gjitha ato që flitet”, ka thënë Milija Bisevaq nga Iniciativa Qytetare “Zubin Potoku”.

Disa nga qytetarët serbë, që marrëveshjen e arritur mes dy vendeve e vlerësojnë si të mirë, thonë se është e domosdoshme që të përmirësohen edhe disa kushte të tjera elementare për ta.

“Jeta nuk është e mirë pasi politika mbizotëron. Neve na duhen rrymë dhe ujë asgjë tjetër nuk na duhet. Nuk ka rrogë, nuk ka pensione, jetoj në shtëpi të huaj, çfarë të them”, ka thënë një qytetar.

“E përshëndes çdo marrëveshje që e lehtëson lëvizjen e qytetarëve. Ajo që më shqetëson janë përplasjet mes Kosovës e Serbisë dhe konfliktet, si dhe kjo reflekton në çdo aspekt të jetës”, ka thënë një tjetër qytetar.

“Shpresoj të jenë të mira këto marrëveshje për ne”, ka thënë një qytetar tjetër.

Dy ditë më parë Serbia ka pranuar të shfuqizojë letrën e hyrje-daljes për shtetasit e Kosovës, që nënkupton pranimin e dokumenteve zyrtare të saj.