Arbëri

Posterët me “plazma” mjet proteste në Mitrovicë

Serbët në veri kanë vendosur gjithandej posterë, me të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj institucioneve të Kosovës. Përmes artit, e kanë kundërshtuar praninë e Policisë në veri e bojkotimin e produkteve serbe nga autoritetet vendore. Analistë në veri thonë se adresë pakënaqësie duhet të jetë Beogradi e jo Prishtina

Arti i rrugës së artistit anglez Banksy u modifikua nga disa qytetarë serbe për t’u përdorur si formë proteste ndaj veprimeve të institucioneve kosovare.

Njëri nga posterët e ekspozuar në disa rrugë të veriut të Mitrovicës, shfaq një polic të armatosur e të uniformuar me stemën e Policisë së Kosovës tek kontrollon një vajzë të vogël të mbështetur për muri, e cila mban në çantën e shkollës një kuti biskotash të brendit serb “Plazma”.

Artisti Agon Xhelili tek interpreton këtë poster, thotë se biskotat Plazma janë përdorur për t’i identifikuar serbët e për t’u dukur më pak nacionalistë.

“Interesant pse e ka zgjedhur simbolin e plazmës e jo të shtetit të Serbisë. Ka dashur ndoshta të duket më pak nacionalist. Ka dashur ta përdorë momentin, konfliktin që është duke ndodhur në Mitrovicë me këta posterë, për ta vendosur Policinë si një polici diktatoriale”, ka thënë Xhelili.

Gjatë ditës, në Polici nuk komentuan mbi mesazhin e këtij posteri që u vendos gjithandej Mitrovicës së Veriut, të banuar kryesisht me serbë.

Në një tjetër poster, shihet një pastruese me një përparëse me logon e Lëvizjes Vetëvendosje, tek pastron me fshesë kutinë e biskotave “Plazma”.

Me të, artisti Xhelili thotë se tentohet që kësaj partie t’i faturohet një kauzë për spastrimin e serbëve të Kosovës.

As në partinë kryesore që mban pushtetin qendror, nuk komentuan mesazhin.

Refuzoi të deklarohet për posterët edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili siguroi mandatin si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.

E në një poster tjetër shihet një protestues i maskuar tek shpreh revoltën duke gjuajtur me biskota serbe.

Artisti Xhelili thotë se me të, portretizohet imazhi i një protestuesi paqësor, meqë edhe ngjyra e kutisë së plazmave që rëndom është e kuqe është kthyer në të kaltër. -

Por, protestuesi serb që kundërshtoi vendosjen e kryetarëve shqiptarë në veri, në vend të kutisë së biskotave, ka mbajtur shkopin e gomës, me të cilin ka sulmuar edhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Policia bëri të ditur se posterët u vendosën nga katër gra.

Autoritetet komunale i hoqën ata prej disa vendeve.

Analisti politik nga veriu, Branislav Kërstiq, thotë se qytetarët në veri nuk e kanë problemin me autoritetet e Kosovës. Sipas tij, adresë e problemit është Beogradi.

Rezistenca artistike thotë se po bëhet për shkak se serbët kanë mbetur pa përfaqësues politikë.

“Ne e kemi një realitet, adresa nuk është Albin Kurti. Hajde flasim nga lëkura e radikalëve, patriotëve, nacionalistëve edhe ata serbë që janë të mbushur me shqiptarofobi. Adresa është Beogradi, Aleksandër Vuçiq. Me vite është duke gënjyer njerëz”. Edhe mua më duket që nëse ekziston edhe një lloj i rezistencës kulturore për mua ajo është vetëm një shenjë që njerëzit janë pa udhëheqës politikë”, ka thënë Kërstiq.

Para se populli serb të flasë me autoritetet e Kosovës përmes artit, ka shterur format më radikale të protestës, në kundërshtim të masave për shtrirjen e autoritetit ligjor e kushtetues në këtë pjesë.