Arbëri

Posta nuk e inkason borxhin prej 1.9 milionë eurosh nga një klient i saj

Rreth një milion e 900 mijë euro nuk i ka inkasuar Posta e Kosovës nga klienti i saj më i madh.

Raporti i Auditorit për vitin 2020 tregon se nga ky klient vijnë 53 për qind e të hyrave të Postës, derisa hedh dyshime mbi aftësinë e postës për të realizuar pasuritë e saj dhe rrjedhën normale të biznesit.

Por, auditori nuk e ka bërë të ditur emrin e këtij klienti.

“Humbje e mundshme e klientit kryesor të kompanisë dhe një tregu të rëndësishëm, (rreth 53% të të hyrave ishin nga ky klient dhe borxhi i pa inkasuar prej tij kishte arritur në 1.897.000 euro), për të cilin ekzistojnë pasiguri materiale që mund të hedhin dyshime të konsiderueshme në aftësinë e tij për të realizuar pasuritë e saj dhe t’i kryejë detyrimet e saj në rrjedhën normale të biznesit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përveç kësaj, për tetë vjet Posta e Kosovës ka pasur humbje operacionale deri në mbi 20 milionë euro.

“Humbjet operacionale të konsiderueshme në vazhdimësi, që për tetë vjet me radhë totali kishte arritur në 20,815,411€, që mund të hedhin dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e kompanisë për të vazhduar në vijimësi”, thuhet më tej aty.

Në Raportin Vjetor Financiar, Posta e Kosovës ka prezantuar pasaktë llogaritë e arkëtueshme tregtare, sa i përket Telekomit.

“Të arkëtueshmet nga Telekomi i Kosovës sh.a., Kompania i kishte prezantuar në Pasqyra financiare në shumën 2,302,904€, ndërsa në letër-konfirmim Telekomi i Kosovës sh.a., ka konfirmuar si llogari të pagueshme 1,889,442€. Për këtë diferencë në shumën prej 413,462 € ishin mbivlerësuar llogaritë e arkëtueshme”, bëhet e ditur në raport.

Raporti i Auditorit identifikon edhe diferenca ndërmjet shumave në librat kontabël dhe konfirmimeve nga kreditorët.

Për këtë ka rekomandur bordin drejtues që të marrë veprime konkrete për pasqyrim real të pasqyrave vjetore financiare.