Arbëri

Pos 36 mijë eurove, shtohet buxhet për dekorimet e fundvitit

Së shpejti pritet që të ketë pamje të re, sheshi do të duket i bukur dhe me shumë ndriçim.

Risi këtë vit do ta ketë edhe festën e dimrit, e cila do të nisë më herët se vitin e kaluar.

Për dekorimin e shesheve Komuna ka ndarë rreth 36 mijë euro.

Megjithatë kjo shumë nuk po i mjafton Komunës vetëm për dekorimin e “Xhorxh Bushit” e lëre më të gjitha shesheve dhe rrugëve kryesore.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, thotë se janë duke e shqyrtuar mundësinë e shpalljes edhe të një tenderi për dekorimin e kryeqytetit.

“Është një shumë e vogël, 36 mijë euro për t’u dekoruar kryeqyteti është një shumë tmerrësisht e vogël. Gjithsesi duhet të reflektojmë për vitin e ardhshëm. Kur është ndarë buxheti nuk kanë ndarë më shumë, edhe atëherë kam reaguar, edhe tash reagoj që është një shumë e vogël. Ne po flasim për dekorimin e sheshit “Nëna Terezë”, “Skënderbeu” “Zahir Pajaziti”, “Xhorxh Bushi”, “Ibrahim Rugova”, madje edhe disa prej rrugëve kryesore, si “Agim Ramadani”. Të gjitha këto, pra zbukurimi i qytetit, ndikon edhe në ekonomi dhe zhvillim, në momentin kur ka shumë dekorim edhe qytetarët shpenzojnë më shumë dhe kalojnë momente shumë më të mira. Me 36 mijë euro, vetëm “Xhorxh Bushi” mund të dekorohet, jemi duke e shqyrtuar mundësinë që të hapim thirrje prapë”.

Sipas Musliut, 42 shtëpizat në sheshin “Xhorxh Bush” do të kenë dekorim të njëjtë.

“Shtëpizat janë të vjetra, nuk kemi mbërritur për shkak të buxhetit t’i bëjmë të rejat. Me Drejtorinë e Kulturës jemi dakorduar që të gjitha shtëpizat të jenë të dekoruara njëjtë, pra në një format, sepse nga herët e kaluara kemi pasur mundësinë që ta shohim një laramani, sepse i kanë dekoruar secili për dëshirën e vet”.

Musliu thotë që ka pasur pak interesim nga gastronomët për t’u pajisur me shtëpizë për tregun veror.

Sipas tij, tregu veror ka ndikuar negativisht, për shkak se bizneset kanë punuar me humbje.

“Kemi pasur ankesa për tregun veror, realisht shumica prej gastronomëve nga reagimi i tyre kanë thënë që janë duke punuar me humbje. Gjithsesi neve nuk na ka zmbrapsur kjo dhe ne jemi angazhuar që ta bëjmë tregun e fundvitit, ne jemi vonuar me tregun veror. Mirëpo për këtë vit jemi gati me kohë dhe dekorimi do të jetë shumë i mirë”.

As qytetarët nuk i mirëpritën investimet për këto dekorime.

“Normalisht që është një shumë e madhe kjo, duke marrë parasysh faktin që ne gjendemi në një krizë tani. Ky kryetari e ka mendjen e vet. Por unë mendoj që ato para të shpërndaheshin për qytetarët që janë në nevojë do të ishte më e arsyeshme. Ka njerëz këtu që rrinë të uritur, unë bazohem në veten time, nëse nuk do t’i kisha djemtë në Evropë, nuk do t’ia dilja të mbijetoja”, tha Behram Shabani, një banor.

E, qytetarja Hatixhe Avdiu mendon se “ky është një investim koti, sepse është një shumë e madhe kjo”.

“Mirë është të dekorohet qyteti, por unë mendoj që kjo është një shumë e madhe. Unë kam parë edhe qytete më të mëdha se Prishtina që janë dekoruar për festa. Mirëpo ata i kanë paratë, ne nuk kemi buxhet për këso lloj gjërash”, shtoi Mehmet Rrudhani, tjetër prishtinas.

1.400 euro do t’iu kushtojë gastronomëve për 45 ditë qëndrimi në sheshin “Xhorxh Bush”, kryesisht në këtë shesh do të jenë bizneset me produkte vendore.

Tregu i fundvitit do të jetë i hapur që nga data 24 nëntor deri më datë 8 janar.