Ka tre vjet që portali i transparencës i lansuar nga Ministria e Financave nuk është përditësuar. Ideja fillestare ishte që përmes tij qytetarët dhe çdokush tjetër të kenë qasje në të dhënat buxhetore të nivelit qendror dhe lokal. Nga shoqëria civile e opozita thonë se mospërditësimi i të dhënave vështirëson luftën kundër korrupsionit e nga partia në pushtet vlerësojnë se ka transparencë të mjaftueshme
Portali i Transparencës i lansuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve në vitin 2018, për të shfaqur të dhëna buxhetore për institucionet qendrore e lokale, ka tre vjet që nuk është përditësuar.
Nga shoqëria civile kanë thënë se kjo vështirëson luftën kundër korrupsionit e po ashtu me mirëmbajtje të portalit qasja në buxhete të institucioneve do të ishte më e lehtë.
“Fatkeqësisht është një humbje e madhe për neve si qytetarë sa i përket mungesës së transparencës financiare, sidomos kur është pyetja tek shpenzimet e parasë publike dhe respektivisht nuk dëshiron një regres në aspektin e llogaridhënies. Portali i Transparencës ka qenë një vegël shumë e mirë që neve qytetarëve na ka dhënë mundësinë që në mënyrë shumë të shpejtë të shohim se si po shpenzohen paret tona dhe se si po përforcohen niveli qendror dhe ai lokal. Është viti i 3-të që nuk shohim përditësime në këtë portal dhe që ky portal nuk po e përmbush mandatin për të cilin është themeluar dhe që është zhvilluar, dhe është një shqetësim pse kemi këmbëngulje në transparencën e qytetarëve”, ka thënë Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese në KDI.
“Kjo qeveri ka ardhur në pushtet duke premtuar një transparencë radikale, të gjithë e kemi dëgjuar këtë thënie nga kryeministri aktual e që në fakt ka ndodhur e kundërta, do të thotë nuk kemi një transparencë radikale aq më shumë kemi një kthim mbrapa sa i përket transparencës. Është shumë e qartë se aty ku nuk ka transparencë ka shumë dyshime për korrupsion, prandaj mungesa e transparencës në mënyrë automatike na dërgon me mendua që diçka përfshihet dhe është për të ardhur keq se ka qenë një portal që ka ofruar shumë të dhëna sa i përket buxhetit”, ka deklaruar Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL.
Kritika për mostransparencë dhe mosmirëmbajtje të këtij portali ka edhe nga opozita.
“Që nga ardhja e kësaj qeverie, problemi kryesor është mungesa e transparencës, është e mbyllur në çdo aspekt, për platforma në cilat qeveritë e kaluara i kanë përditësuar. Ne kemi ngritur disa herë këtë çështje, por fatkeqësisht qeveria ka zgjedhur mbylljen dhe izolimin e vet ta mbajë brenda, pasi kjo sjellje është antikushtetuese”, ka thënë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Nga Qeveria nuk kthyen përgjigje për mospërditësimin e të dhënave në këtë portal, mirëpo deputetja e partisë në pushtet, Arbëreshë Kryeziu- Hyseni, tha se ekzekutivi ofron transparencë të mjaftueshme për qytetarët.
“Webfaqet zyrtare të institucioneve tona janë shumë aktive dhe vazhdimisht japin informacione të nevojshme që qytetarët kanë nevojë t’i shohin, ku mund të marrin informacione të nevojshme që iu interesojnë. Nuk ka mungesë të informacionit dhe besoj që ka transparencë të mjaftueshme”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
Portali i Transparencës, derisa ishte funksional, u mundësonte qytetarëve qasje të lehtë dhe mundësi të analizimit të të dhënave buxhetore të institucioneve qendrore dhe atyre lokale.
Raporti: Donisa Fazliu