Arbëri

Politikë me thikë

Partia SVP, shqiptarët dhe fushata elektorale në Zvicër.

Është fushatë elektorale në Zvicër dhe partitë janë në kërkim të votave. Normalitet demokratik. Por në gjithë këtë normalitet ka diçka absurde: vota nga komuniteti shqiptar po kërkon edhe partia e djathtë populliste SVP. Qe disa dekada kjo parti i ka vënë në shënjestër shqiptarët me akuza paushalle. Sigurisht, jo të gjithë shqiptarët në Zvicër janë shembuj të mirësjelljes, ka të tillë që janë marrë e merren edhe me aktivitete të kundërligjshme, por çfarë ka bërë SVP ka qenë stigmatizim i një grupi kolektiv, pa dallim. Ka shumë shembuj për këtë.

Më 1998 autoritetet e Zürichut vendosën ta përkrahin me 100 mijë franga një organizatë humanitare, e cila do të mbështeste familjet refugjate nga Kosova. Ishte kohë lufte. Kohë e tmerrshme. Dhe çfarë bëri atëbotë SVP? Kundërshtoi me këmbëngulje, e nxori në referendum vendimin e autoriteteve lokale dhe e mbuloi qytetin e Zürichut me posterë ku shkruante: “Kontaktnetz für Kosovo-Albaner - Nein”. Posteri ishte i dizajnuar ashtu që të binin në sy sidomos fjalët “Kosovo-Albaner” dhe “Nein” (jo - shqiptarëve të Kosovës). Fjala “Kontaknetz” (rrjeti konaktues) ishte shkruar qëllimisht me shkronja të vogla.

Për fat të keq drejtësia zvicerane nuk e kualifikoi këtë si mesazh racist, siç kishin kërkuar disa juristë zviceranë. Por posteri ka hyrë në histori si shembull i fushatës së popullistëve kundër një komuniteti. Kur gjiganti medial britanik BBC shkruan për kombëtaren e Zvicrës të futbollit, thekson se posteri u prezantua në publik kur Shaqiri, Xhaka e Behrami u rritën në Zvicër. Një kopje e posterit të SVP-së kundër familjeve shqiptare ruhet në Muzeun e Dizajnit në Zürich (Museum für Gestaltung Zürich).

Image

Në vitin 2011 SVP botoi në gazeta dhe vendosi në hapësira publike një poster me mesazhin: “Kosovarët masakrojnë zviceranët” (në gjermanisht: “Kosovaren schlitzen Schweizer auf”). Me këtë poster SVP synonte të mobilizonte votuesit për të përkrahur një iniciativë e cila kërkonte “ndaljen e ardhjes masive të të huajve në Zvicër”. Për shkak të regjimit të vizave në vitin 2011 në Zvicër vinin shumë pak kosovarë (kjo nuk ka ndryshuar aq as ndërkohë). Më së shumti njerëz në Zvicër vinin më 2011 dhe në vitet e mëvonshme nga shtetet e BE-së, sepse Zvicra e ka liberalizuar tregun e punës me BE-në. Por për SVP-në ishte “me rëndësi” që në fushatën kundër migrantëve të përdorë emrin e shqiptarëve duke e ditur se fjala “Kosovo-Albaner” zgjon aversion te një pjesë e popullatës izolacioniste zvicerane.

Ky poster nxiti shumë debate në Zvicër. SVP u arsyetua se sllogani i saj i referohej një rasti kur një shqiptar e kishte sulmuar me thikë në fyt një zviceran në qytetin Interlaken të kantonit të Bernit. Fillimisht drejtësia e kantonit të Bernit nuk deshi të merrej fare me posterin e SVP-së. Por instancat më të larta gjyqësore vendosën që ky rast të trajtohet nga drejtësia për shkak të dyshimeve për përmbajtje raciste. Epilogu është ky: më 2015 sekretari i përgjithshëm i SVP-së dhe zëvendësja e tij u dënuan nga një gjykatë në Bern për shkak të diskriminimit racor. Aktgjykimin e konfirmoi edhe Tribunali Federal, gjykata më e lartë e Zvicrës.

Viteve të fundit disa eksponentë të SVP-së janë përpjekur të tregohen më tolerantë ndaj komunitetit shqiptar në Zvicër. Por SVP kurrë nuk e ka parë të arsyeshme t’i kërkojë falje shqiptarëve të Zvicrës për fushatat e saj raciste dhe stigmatizuese. Ka deputetë dhe përkrahës të kësaj partie që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës me “argumente” që tingëllojnë si në Moskë dhe Beograd. Ka funksionarë të kësaj partie që në tekstet e tyre godasin personalisht gazetarë që demaskojnë propagandën e tyre ose shkruajnë se në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët e Kosovës si bashkëpunëtorë të nazistëve kanë vrarë “dhjetëra-mijëra serbë”.

Përkundër kësaj historie me plot njolla të SVP-së, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë shqiptar me pasaportë zvicerane të votojë për këtë parti. Edhe kjo është e drejtë e secilit në një demokraci, por gjithsesi shqiptarët me të drejtë vote në Zvicër duhet ta kenë parasysh trashëgiminë e kësaj partie. Ka edhe shqiptarë që kandidojnë për SVP-në. Edhe kjo është e drejtë e tyre, por së paku do të duhej të ishin të sinqertë dhe nga partia e tyre të kërkonin distancim nga e kaluara e fushatave populliste kundër shqiptarëve. Distancimi pa kërkimfalje nuk ka kuptim.