Policia e Kosovës në një deklaratë ka thënë se procesi i votimit për apo kundër largimit nga funksioni i kryetarëve të Komunave në veri, në aspektin e sigurisë ka kaluar i qetë dhe pa incidente.
Në komunikatë thuhet se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit të votimit ishin angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por kanë qenë të paraparë edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, brenda Policisë së Kosovës.
“Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces të votimit ishte:
Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e katër komunave veriore të vendit, mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të votimit. Sigurimin e Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale, Depove Komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe Depove Qendrore. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor. Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj këtij procesi, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet në komunikatë.
Policia ka thënë se planifikimi dhe implementimi i këtij procesi të votimit është menaxhuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) sipas kompetencave ligjore, “përderisa Policia e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, ndërmarrjen e të gjitha masave preventive, operative dhe hetimore për krijimin e një ambienti të sigurt gjatë gjithë procesit të votimit dhe pas saj, si dhe ka asistuar në kërkesat e KQZ-së”
Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se procesi në katër komuna ka kaluar pa asnjë rast nga veprat penale kundër të drejtave të njeriut.
“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit janë angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët ishin në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit. Të njëjtit gjatë gjithë ditës vazhdimisht kanë vizituar qendrat e votimit në katër komunat për të parë për së afërmi ecurinë e procesit të votimit”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën për media u tha se do të vazhdojë të mbikëqyrë procesin e numërimit të votave deri në përfundim të procesit.