Arbëri

Policia tregon se cilat gjoba do të dërgohen me postë te shkelësit e rregullave në trafik

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka nisur dërgimin e gjobave në adresë të pronarit të automjetit, që ka bërë kundërvajtje në trafik.

Në një video të publikuar, Policia ka treguar se përmes pajisjeve inteligjente do të identifikojë shkeljet si tejkalimi i shpejtësisë, skadimi i afatit të regjistrimit, tejkalimi në vende të ndaluara, mosrespektimi i semaforit, mosvendosja e rripit, përdorimi i telefonit mobil e kundërvajtje të tjera.

Pas identifikimit të kundërvajtjes, zyrtari policor e regjistron dhe printon dëshminë e kundërvajtjes. Të dhënat ruhen në sistemin e policisë duke përfshirë datën, orën dhe vendndodhjen e saktë të shkeljes, sipas njoftimit.

Përmes targave, identifikohet pronari i automjetit ndaj të cilit shqiptohet gjoba për kundërvajtjen e identifikuar përmes pajisjes.

Gjoba vendoset në zarf dhe dërgohet te shërbimi postar para se t’i dërgohet në adresë pronarit të veturës.

Pas pranimit të gjobës, pronari mund të paraqesë edhe ankesë ndaj dënimit.

Policia ka thënë se nëse pronari i automjetit nuk ka qenë shofer, ai duhet të tregojë kush ka qenë drejtues i automjetit dhe t’i plotësojë të dhënat e tij.