Nga numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara gjatë gjashtëmujorëshit të parë të këtij viti në Policinë e Kosovës, zbulueshmëria e tyre është rritur për 0.44%, përderisa po ashtu është rritur edhe numri i personave të arrestuar nga 5573 në 5656, krahasuar me një vit më parë në të njëjtën periudhë.
Policia ka publikuar shifrat mbi numrin e rasteve duke treguar se ka pasur rënie.
“Numri i rasteve të vrasjeve ka shënuar rënie për -41.66%. Numri i rasteve të dhunimit ka shënuar rënie për -52%. Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie për -10.31%. Numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie për -24.16%. Numri i vjedhjeve në tentativë ka shënuar rënie për -23%”, ka njoftuar PK përmes një komunikate.
Përderisa rastet e lëndimeve trupore dhe të dhunës në familje kanë shënuar një ngritje të lehtë, pasi Policia ka thënë se raportimi i rasteve të dhunës në familje është ngritur për 5.58%.
Referuar angazhimeve shtesë të Policisë së Kosovës në realizimin e urdhëresave të gjykatave, është rritur numri i realizimit të urdhëresave nga 9752 në 11274, për periudhën gjashtëmujore të vitit 2024.
Ndërsa, sa i përket sigurisë rrugore Policia ka njoftuar se numri i gjobave të shqiptuara është rritur nga 309,403 në 342,258 apo rritje për +10.62%.