Policia e Kosovës njoftoi se nga 1 nëntori nuk do të lëshojë më vërtetime për qytetarët mbi të kaluarën kriminale.
Në njoftim u tha se ndërprerja e lëshimit të vërtetimeve i referohet Ligjit mbi sistemin qendror të evidencës penale, që shfuqizon çdo dispozitë tjetër ligjore.
Policia ka bërë me dije se përgjegjës për lëshimin e këtij lloj vërtetimi është Departamenti i Evidencës Qendrore Penale pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
“Policia e Kosovës, përmes kësaj komunikate zyrtare, njofton mediat dhe qytetarët se duke filluar nga data 01.11.2024, nuk do të lëshojë për palët kërkuese/qytetarët vërtetim për të kaluarën kriminale. Ndërprerja e lëshimit të vërtetimeve i referohet Ligjit Nr. 08/L-194 mbi Sistemin Qendror të Evidencës Penale, i cili shfuqizon çdo dispozitë tjetër ligjore që përcakton nxjerrjen apo lëshimin e certifikatave që ndërlidhen me evidencën penale. Departamenti i Evidencës Qendrore Penale pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës mbetet përgjegjës për t’i lëshuar këto vërtetime, prandaj palët kërkuese/qytetarët mund të aplikojnë në gjykatat që mbulojnë territorin e tyre”, thuhet në njoftimin policor.