Dy incidente janë shënuar brenda pak orësh në veriun e banuar kryesisht me serbë, pas të cilave Policia ka intervistuar disa persona. Policia ka arrestuar edhe një banor të kësaj pjese, në shtëpinë e të cilit është gjetur arsenal armësh.
Policia ka gjetur arsenal armësh e uniformë ushtarake me simbol të Serbisë, në shtëpinë e një qytetari të Komunës së Leposaviqit, pasi paraprakisht atë të armatosur e ka prangosur në malet e një fshati të kësaj komune.
Sipas njoftimit të Policisë, krahas pushkës së gjuetisë që e kishte me vete, të dyshuarit me inicialet R.M. i janë gjetur në shtëpi edhe një armë gjysmautomatike, një pushkë 8.75 milimetërshe, një pushkë ajrore, fishekë kalibrash të ndryshëm, disa thika e një xhaketë me pajisje të tjera ushtarake.
Policia ka bërë të ditur se i arrestuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.
Policia ka intervistuar edhe të dyshuar për ngjitjen e një stikersi mbi pllakën përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini në Lagjen e boshnjakëve.
Pas vendosjes së stikerit në përmendore, banorë shqiptarë të lagjes janë mbledhur për të shprehur revoltën për ngjarjen.
Policia ka evidentuar edhe shpimin e gomave në dy automjete me targa të Serbisë. Aty pastaj janë tubuar edhe banorët serbë, të cilët jetojnë në ndërtesat përreth.
Të dyja grupet janë shpërndarë, pas ndërhyrjes së Policisë.