Prokuroria dhe Policia e Kosovës nuk kanë dhënë detaje rreth rastit të grabitjes me armë zjarri të një furgoni që transportonte para të gatshme, ndërsa po qarkullonte në rrugën Prishtinë-Gjilan, të enjten. Shoqata e Bankave ka ngritur shqetësimin rreth rritjes së rasteve të sulmeve ndaj bankave
Tridhjetë plumba janë shkrepur në drejtim të automjetit që transportonte para të gatshme në rrugën Prishtinë-Gjilan, gjatë së enjtes. Tre persona të maskuar e të armatosur kishin ndalur furgonin nga i cili kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash. Prokuroria Themelore në Gjilan ka treguar për rastin, por nuk ka dhënë detaje mbi të dyshuarit.
“Nga informacionet e deritanishme dyshohet se tre persona të maskuar, të pajisur me armë automatike kanë ndalur furgonin me para, në të cilin ishin katër persona, ku kanë shkrepur rreth 30 plumba. Lidhur me rastin nuk ka ndonjë person të lënduar, përpos dëmeve të konsiderueshme materiale, ndërsa dyshohet se të njëjtit nga furgoni kanë marrë një shumë të parave dhe pastaj në një distancë nga vendi i ngjarjes kanë djegur automjetin, me të cilin dyshohen se kanë kryer këtë vepër penale”, thuhet në përgjigje për KOHËN.
As Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje rreth shumës së vjedhur ose identifikimit të kryerësve të veprës.
“Është raportuar se katër persona të panjohur duke përdorur armë zjarri të llojit AK/47, kanë grabitur një shumë parash dhe dy armë zjarri, pronë e një kompanie të sigurimit dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Të dyshuarit më pas ia kanë vënë zjarrin veturës së tyre të llojit Opell Zafira. Njëra armë është gjetur 20 metra larg vendit të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, nga Shoqata e Bankave të Kosovës ngrenë shqetësimin për rritjen e numrit të rasteve të sulmeve ndaj bankave komerciale. Petrit Baliu thotë se tashmë sulmuesit janë kthyer në metoda të tjera të grabitjes, ndryshe nga kur sulmonin degët e bankave. “Keqbërësit janë kthyer në metoda të tjera dhe po sulmojnë kryesisht bankomatët dhe transportuesit e parave. Duhet të fokusohemi që t’i parandalojmë sulmet në bankomatë dhe transportuesit e parave”, ka thënë ai.
Tutje shton se sulmet ndaj transportuesve të parave kanë një mesatare prej dy ose tre raste në vit. E sipas tij, vjedhjet e tilla nuk kanë ndikim te qytetarët.
“Bankat nuk dëmtohen në këtë aspekt dhe paratë e qytetarëve janë të sigurta, sepse bankat i kanë të siguruara paratë në këso incidente”, ka deklaruar Baliu.
Edhe në mars të këtij viti ishte grabitur një veturë gjatë transportimit të parave të gatshme. E njëjta ishte djegur nga sulmuesit në rrugën “Ibrahim Rugova”. KOHA ka kontaktuar edhe me kompaninë që merret me transportin, të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje. Numri i sulmeve edhe në bankomatë është rritur. Gjatë vitit 2020 janë regjistruar 16 sulme, kryesisht me eksplozivë.