Arbëri

Policia e Kosovës “plaket” në pritje të ligjit për pensionim të parakohshëm

Ministria e Financave është duke bërë vlerësimin e kostos së Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të Policëve, por nuk ka treguar se kur mund të përfundojë vlerësimi, i cili pastaj i hap rrugë procedimit të Projektligjit për në Kuvend. Por, Sindikata e Policisë kërkon që projektligji të miratohet sa më shpejt, kurse njohësit e fushës së sigurisë e vlerësojnë atë si vështirë të zbatueshëm në praktikë për shkak të kostos së lartë të tij

Me moshën mesatare prej 48 vjeç, policët e Kosovës janë më të vjetrit në rajon. Tash e disa vjet ka nisur puna për hartimin e projektligjit për pensionimin e parakohshëm të policëve. Para katër muajsh, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar se ky projektligj do të procedohet së shpejti në Kuvend, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

MPB-ja ka konfirmuar se projektligjin, i cili i hap rrugë rekrutimit të gjeneratave të reja në Polici, e ka dërguar në Ministrinë e Financave për ta bërë vlerësimin financiar, por kjo e fundit nuk ka treguar se kur pritet të përfundojë procesi. Në Sindikatën e Policisë kërkojnë miratimin sa më të shpejtë të projektligjit.

Kryetarja e kësaj Sindikate, Valbona Kamberi, ka bërë të ditur se projektligji ia njeh të drejtën e pensionit familjarëve edhe pas vdekjes së pjesëtarit të Policisë.

“Duhet ta keni në konsideratë sepse Policia e Kosovës është institucioni i parë i formuar pas luftës dhe natyrisht se në atë kohë kanë aplikuar edhe persona të cilët nuk kanë pasur kufizime të moshës, prandaj tani është koha që ata duhet të pensionohen dhe sigurisht meritojnë të pensionohen me një pension të dinjitetshëm”, ka thënë Kamberi.

Mirëpo, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) e vlerëson sfiduese dhe problematike për shtetin koston e lartë të zbatimit të këtij ligji.

Secili zyrtar policor që mbush 55 vjet kalon në pensionim të parakohshëm, derisa pritet të marrë si pension 60 për qind të pagës. Rreth kësaj moshe, Kosova vlerësohet se ka afro 2 mijë policë. Andaj, Plator Avdiu nga QKSS-ja ka vlerësuar se Qeveria duhet të gjejë edhe forma alternative se si ta buxhetojë implementimin e këtij ligji.

“Shkallshmëria e vetë procesit të pensionimit të parakohshëm duhet të garantojë reformim brenda Policisë së Kosovës, sepse vetë ideja e pensionimit të parakohshëm është një lloj vettingu në heshtje i strukturave të brendshme të Policisë me qëllim të rifreskimit të radhëve të saj, por që policia të investojë në profesionalizëm edhe të atyre zyrtarëve që do t'i rekrutojë”, ka vlerësuar Avdiu.

Institucionet nuk kanë bërë të ditur shumën e kostos eventuale të këtij projektligji, por sipas një hulumtimi të mëhershëm të QKSS-së, ajo llogaritet të jetë rreth 70 milionë euro. Zbatimi i këtij legjislacioni planifikohet të nisë nga viti 2023, derisa procesi i pensionimit pritet të bëhet gradualisht. Një ligj i tillë është në fuqi për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por kostoja e tij është dukshëm më e ulët për shkak të numrit të vogël të pjesëtarëve të ushtrisë.