Arbëri

Policia e Kosovës ia mësyn Tiranës për “të ndalur” dhunën e tifozëve holandezë e italianë

Policia e Kosovës ka dërguar disa pjesëtarë të saj në Tiranë, për të ndihmuar Policinë e Shqipërisë për të mbajtur rend e rregull në prag të ndeshjes finale të Ligës së Konferencave, ndërmjet Romës dhe Feyenoordit, që do të zhvillohet të mërkurën mbrëma në “Air Albania”.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar shkuarjen e policëve kosovarë në Tiranë, ndërkohë mediat në Shqipëri kanë publikuar video të policisë së Kosovës duke kaluar nëpër Rrugën e Kombit.

“Referuar bashkëpunimit të ndërsjellët në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, si dhe referuar ndeshjes sportive, e cila pritet të mbahet sot, Policia e Kosovës do të dërgojë disa zyrtarë policorë në Tiranë”, ka thënë Kelani për KOHË-n.

Ai nuk ka detaje se sa zyrtarë janë dërguar e as nëse janë të ndonjë njësie të veçantë, por në video shihet një kolonë e gjatë e automjeteve policore që ia kanë mësyrë Shqipërisë.

Në të vërtetë, ka disa ditë që tifozët, sidomos ata të Feynoordit, kanë mbërritur në Tiranë. Ata dhe tifozët italianë kanë shkaktuar shumë trazira, duke sulmuar qytetarët shqiptarë, por edhe policinë.

Të mërkurën u raportua për 10 policë të lënduar nga përleshjet mes tifozëve të Feyenoordit e Romës në Tiranë.

Policia e Shqipërisë ka njoftuar të mërkurën se 80 tifozë italianë janë kthyer në Itali përmes portit të Durrësit, 48 janë arrestuar, ndërkohë janë arrestuar edhe 12 holandezë. Një polic është lënduar me thikë nga një tifoz i Romës, e ata të Holandës kanë lënduar rëndë një qytetar të Tiranës të martën mbrëma.