Arbëri

Policia dyshon se të miturit po shtyten të vënë zjarre në veri

Pasi dy vetura zyrtare janë djegur të premten në mëngjes në Komunën e Zveçanit, zyrtarë policorë kanë theksuar se janë të mitur të dyshuarit që po shtyten të kryejnë akte zjarrvënieje në veriun e banuar kryesisht me serbë. E, PDK-ja u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë që ta hetojnë dhe ta zbardhin sa më parë këtë rast, si dhe të angazhohen në parandalimin e akteve të tilla të mundshme

Dy vetura në pronësi të Komunës së Zveçanit janë dëmtuar nga zjarri në mëngjesin e së premtes, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai ka thënë se djegia e veturave zyrtare të Komunës ka ndodhur rreth orës 01:40 të mëngjesit, para objektit të Komunës së Zveçanit në veri.

Ai ka shprehur dyshimin se pas rasteve të zjarrvënies qëndrojnë të mitur, të cilët veprat i kryejnë të maskuar.

“Nuk kemi persona të dyshuar, nuk ka të lënduar, policia po punon në ndriçim të rastit. Sidoqoftë ne e dërguam edhe një apel sot te mediat e tjera, ku thamë që është mirë që qytetarët të kenë kujdes për fëmijët e tyre, të kenë kujdes se si sillen. Për arsye se kemi qenë shumë në afërsi edhe është veç fat që nuk jemi taku në ta”, ka thënë Elshani.

E kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, i cili për kohë të gjatë e ka kryer punën nga një zyrë alternative dhe ka tre muaj që është vendosur me administratën në objektin komunal, e ka dënuar aktin e zjarrvënies së veturave.

“Si pasojë, për momentin persona të panjohur kanë bërë djegien e dy veturave zyrtare në parkingun e komunës. Unë si kryetar komune e dënoj këtë akt dhe i lus institucionet e sigurisë të shtetit që sa më shpejt të arrestohen ata persona dhe të dalin para drejtësisë”, ka thënë Peci. “Sigurt jemi për momentin, tash e tre muaj që jemi këtu, deri sot në orët e hershme nuk ka ndodh një gjë e tillë, mirëpo ndodhin...ende nuk mundemi të japim diçka, do të thotë policia janë ata që sa më shpejt që është e mundur, do ta verifikojnë se çka ka ndodhur dhe prej kujt ka ndodh”.

Rasti është dënuar edhe nga Partia Demokratike (PDK), nga radhët e së cilës është kryetari i Zveçanit.

Nëpërmjet një reagimi publik, në PDK u kanë bërë thirrje institucioneve të sigurisë dhe atyre të drejtësisë që ta hetojnë dhe ta zbardhin sa më parë rastin e zjarrvënies, si dhe të angazhohen në parandalimin e akteve të tilla të mundshme.

“Rritja e interesimit të qytetarëve serbë që jetojnë në Komunën e Zveçanit për të drejtuar dhe shprehur nevojat e tyre ndaj komunës si duket po i pengon grupet kriminale. Kryetari i Komunës, Ilir Peci, dhe ekipi i tij, mbeten të përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të tyre në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Në këtë subjekt opozitar kanë kërkuar gjithashtu nga organet e rendit që t’i ofrojnë mbrojtje dhe ta garantojnë sigurinë e kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Zveçanit.

I pyetur rreth kërkesës për t’i ofruar mbrojtje kryetarit Peci, zëvendësdrejtori i policisë në veri ka kërkuar që pyetjet t’i adresohen Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë

“Pse nuk i ofrohet siguri, kjo nuk është pyetje për mua, është për drejtorin e përgjithshëm të Policisë, drejtorinë e përgjithshme. Vlerësimi i rrezikut është atje. Për ne është me rëndësi që në veri të vendit, kudo që ne dyshojmë kemi mundësi të hyjmë”, ka thënë Elshani.

Zveçani është një nga katër komunat në veri të Kosovë, të cilat janë të banuara kryesisht me serbë. Në këtë pjesë të Kosovës edhe në të kaluarën ka pasur raste të djegies së veturave dhe të dëmtimit të pronave. Në qershor të këtij viti është raportuar për djegien e dy veturave me targa serbe në Mitrovicë të Veriut. Në fillim të prillit, një pjesëtarit të policisë kufitare të Kosovës i është djegur vetura po ashtu në Mitrovicë të Veriut.

E në muajin mars janë regjistruan dy djegie të pronave të serbëve në Kosovë. Një lokal, në pronësi të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, është djegur më 8 mars. Tomaniqi dhe autoritetet e sigurisë, patën thënë se zjarrvënia dyshohet se ka qenë e qëllimshme. Ndërkaq më 24 mars, është djegur edhe një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviqit, drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë në komunën e Zveçanit, që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Radosavleviq i pati thënë Radios Evropa e Lirë se beson që zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe se motivi ishte politik.

Raste me djegien e veturave janë regjistruar veçanërisht në fund të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023, kur është bërë procesi i riregjistrimit të veturave në targa të Kosovës. Për këtë arsye, persona të panjohur ua kanë vënë flakët disa veturave me targa të Republikës së Kosovës