Arbëri

Policia bastis komunën paralele të Skenderajt në veri

Veriu

Policia ka njoftuar se është duke e bastisur komunën paralele serbe të Skenderajt, e cila gjendet në veri të vendit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke e mbyllur këtë komunë paralele serbe. 

“Sot gjatë verifikimeve policore në teren kemi ardhur deri tek informacioni se komuna paralele e Skenderajt është aktive në territorin e Mitrovicës së Veriut. Kemi konsultuar prokurorin, i cili e ka rastin e komunave paralele në veri dhe në koordinim me të kemi hyrë në këtë ndërtesë dhe jemi duke u marrë me rastin. Sipas të gjitha gjasave ajo mbyllet”, ka thënë ai. 

Javë më parë, janë mbyllur edhe komunat e tjera paralele që kanë qenë funksionale në veri.

Lidhur me këtë aksion kanë reaguar në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, e cila ka shprehur ankesë se punëtorët e komunës janë dëbuar prej objektit. 

“Pjesëtarë të Policisë së Kosovës të Kurtit kanë hyrë sot në objektet e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Skenderajt dhe i kanë mbyllur ato. Katër policë të veshur si civilë gjatë ditës së sotme kanë dëbuar punëtorët që kanë gjetur aty, me arsyetimin se janë të angazhuar në ‘veprimtari të paligjshme dhe antikushtetuese”, është thënë në reagimin e kësaj zyre. 

Sipas njoftimit nga kjo zyrë, një lëvizje e këtillë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të gjitha marrëveshjet dhe rezultatet e dialogut të Brukselit. 

“...Dhe tregon se e vetmja gjë që Kurti di është që të udhëheqë me politikën e mbylljes dhe bllokadës. Ky është autoriteti i dhjetë i përkohshëm që autoritetet e Prishtinës e kanë mbyllur në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme, pas mbylljes së Autoriteteve të Përkohshme në Shtërpcë, Klinë, Istog, Gorazhdec, Gorë, Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok”, thuhet në reagim.

Para disa javësh janë mbyllur edhe zyra të tjera, pjesë të komunave dhe të ndërmarrjeve që kanë funksionuar në Kosovë me sistem të Serbisë. 

Veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e tyre janë kritikuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe nga Shtetet e Bashkuara (SHBA). Tek i kanë kualifikuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, në BE dhe në SHBA kanë pretenduar se këto çështje duhet që të trajtohen në kuadër të dialogut midis Kosovës e Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja.

Mbyllet komuna paralele serbe e Skenderajt në veri

6 muaj më parë / 16 tet 2024 19:32
Policia e Kosovës

Foto: Ilustrim

Autoritetet e Kosovës e kanë mbyllur një komunë paralele serbe të Skenderajt në veri, pasi bastisjes së objektit më herët të mërkurën.

Policia e Kosovës ka thënë se zyrtarët policorë gjatë patrullimit në afërsi të objektit të policisë në veri të Mitrovicës kanë vërejtur persona të panjohur të cilët po frekuentonin një zyre, e që gjatë verifikimit të personit përgjegjës është identifikuar se kjo zyre vepron si pjesë e strukturave ilegale dhe është përgjegjëse për komunën e Skenderajt.

Prokurori më pas ka urdhëruar që provat materiale që gjenden në këtë zyre të sekuestrohen dhe zyra të mbyllet, ndërsa personat përgjegjës të intervistohen, ka njoftuar më tej PK-ja.