Arbëri

“Po na mbajnë peng edhe ne të gjallëve”, kritika Qeverisë se nuk po gërmon në një lokacion në veri

Bajram Çerkini, drejtues i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, po dyshon për mbetje mortore në një lokacion në Mitrovicë të Veriut, në të cilin thotë se nuk po gërmon Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur pavarësisht kërkesave. E në Komision thonë se gërmimet në këtë lokacion ku ka varreza të qytetarëve janë më specifike dhe kërkojnë informata më të sakta

“Po na mbajnë peng edhe ne të gjallëve”, thotë Bajram Çerkini kur flet për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, për zbardhjen e fatit të të cilëve nuk i ndal përpjekjet as një çerekshekulli pas.

Me gjithë vështirësitë që ia ka shkaktuar mosha, Çerkini u bie rreth e përqark varrezave të myslimanëve në Mitrovicë të Veriut, për të treguar dyshimet që ka, se në këtë lokacion mund të jetë varrosur edhe trupi i djalit të tij, e edhe një numër i madh i të zhdukurve të tjerë.

“Ai ka dalë prej shtëpisë me rroba të dimrit dhe e shoqja i ka thënë pse bre këpucët e dimrit. I ka thënë ah moj nënë nuk kalbet sfilla. Sikur t’i ketë pasur disa parandjenja, du me shku me ndjek rrugën e babagjyshit Sadik Zeneli. Më nuk e kemi ni as nuk e kemi parë. Kur hihet në këto detaje jo emocione, por të lëshon trupi, me e rrit një djalë 30-vjeçar e me thënë nuk e di ku është”, ka thënë Çerkini.

Çerkini përmend data e argumente se pse dyshon se në këtë zonë të qytetit u varros djali i tij që u zhduk në luftë, por thotë se thirrjet e tij për gërmime nuk i aprovoi asnjëherë Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Nuk është një herë që ju kam thënë, po nuk ka numër takimesh që nuk i kam përmendur këto varreza të cilat ka thënë Blagoje Jakshiqi, sekretar që ka sjellë vendim me i ekzekutu, krejt çka i ka ekzekutu ka thënë “vodite kodo nokzhbuna damo” d.m.th. çojini te qajo llugë...Nuk e di, a s’po na besojnë a s’po donë, a s’po mujnë apo po ju konvenon ende me e zgjatë këtë proces dhe me i mbajt peng këta të gjallë”, ka thënë ai.

Por, në Komisionin Qeveritar thonë se për gërmim në lokacione të tilla të ndjeshme si varrezat u duhen informacione të sakta. Ata thonë se kjo zonë vazhdimisht ka qenë pjesë e gërmimeve ku janë gjetur mbetjet mortore të mbi 60 viktimave të luftës.

“Gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të viktimave të luftës, përkatësisht personave të zhdukur me dhunë, janë duke u sfiduar nga mungesa e të dhënave, që do të duhej të vinin nga institucionet e Serbisë, në veçanti mungesa e të dhënave sfidon punën në lokacione të tilla, për shkak të specifikave të këtyre lokacioneve, meqë po flasim për hapësira të varrezave. Kemi edhe disa raste e të dhëna që jemi duke analizuar, përfshirë edhe mbetjet mortore të gjetura gjatë këtyre ditëve, rrjedhimisht ky lokacion do të vazhdojë të jetë pjesë e agjendës”, ka deklaruar Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Në Qeverinë e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve se ku ka mbetur çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve dhe se a është ngritur kjo brenda takimit që u zhvillua të premten në mëngjes në Qeveri me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

Çerkini thotë se i ka humbur shpresat përveç në institucionet vendore edhe në ato ndërkombëtare.

“Ka qenë mysafir Lajçaku në zyrën time në Prishtinë në Qendrën Burimore, ka premtuar se në Bruksel do të jetë çështje humane e jo politike, do të formohet një komitet që të kontrollohet grupi punues që të kenë kohën e caktuar që të kryhet kjo dhimtë e madhe, jo vetëm për juve, por edhe për mbarë Kosovën e më shumë. Kurrë më, as s’u ardhë, as përmend të pagjeturit nuk i ka”, ka shtuar Çerkini.

Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia janë pajtuar prej më shumë se një viti për deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur.

Me të, mes të tjerash, mundësohej qasje e plotë në dokumentacione e informacione të besueshme edhe ato me status të klasifikuar, si dhe bashkëpunim përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Që atëherë, kjo deklaratë nuk është zbatuar në praktikë.

25 vjet pas luftës, ende nuk dihet për fatin e rreth 1600 personave.

“Puna e institucioneve vendore e ndërkombëtare për këtë kategori është e vdekur”, ka thënë Çerkini.