Arbëri

Plazhi i Shëngjinit “kërcënohet” nga mushkonjat

Plazhi i Shëngjinit, destinacioni ndër kryesorët i pushuesve nga Kosova, “kërcëenohet” nga mushkonjat.

Prania e madhe e tyre, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, është kthyer në një makth për pushuesit. Shkak për këtë situatë është bërë mungesa e dezinsektimit për këtë vit.

Pushues dhe operatorë turistikë në Shëngjin kanë kërkuar që të merren masa për këtë situatë. “Mushkonjat janë një shqetësim i madh. Bashkia duhet ta zgjidhë problemin”, thotë një turist nga Kosova.

Besnik Sula, Operator turistik në Shengjin, shpreh shqetësimin e tij për praninë e madhe të mushkonjave në këtë vend.

“Kemi problemin e mushkonjave. Sivjet nuk është dizenfektuar zona si vitet e tjera. Me dalë në mbrëmje në shëtitore shihen të gjithë pushuesit me degë pemësh në duar u ruajt nga mushkonjat”, thotë Besnik Sula.

Prania e mushkonjave dhe mungesa e dezinsektimit po largon pushuesit nga Shengjini, thotë eksperti i turizmit Leonard Seferi.

“Mushkonjat janë me tepricë në Shëngjin. Janë të kudo ndodhura. Prania e tyre përveç bezdisë së tejskajshme është edhe shqetësim për shëndetin e njerëzve. Mosdizenfektimi i ambienteve ku pushuesit kalojnë pushimet e tyre, ndikon drejtpërdrejt në mosrikthimin e turistëve vitin e ardhshëm, pasi do kërkojnë destinacione të reja”, thotë Seferi.

Vitet e shkuara, dezinsektimi i zonave turistike është realizuar që në muajin maj, por këtë sezon një proces i tillë ende nuk ka ndodhur.

Burime nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Lezhë, bëjnë me dije se shkak për këtë situatë është bërë pezullimi për herë të katërt i tenderit të dezinsektimit për shkak të ankimimit të subjekteve konkurruese. Afërsia që e ka me Kosovën, e ka bërë Shëngjinin si qytet të kosovarëve gjatë stinës së nxehtë, pasi tashmë ata nuk janë vetëm pushues në këtë zonë turistike, por i janë drejtuar kësaj zone edhe me bizneset e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, tregon se një pjesë e madhe e pushuesve nga Kosova kanë edhe prona aty, banesa apo biznese.

“Shqiptarët e Kosovës janë pjesëmarrësit më të mëdhenj në turizmin në Shëngjin. Mbi 65 për qind e klientelës janë shqiptarë të Kosovës. Jo pa qëllim kemi krijuar lidhje intensive me pothuajse të gjitha komunat e Kosovës. Kam lidhje institucionale e shoqërore me shumicën e kryetarëve të komunave të Kosovës dhe autoritetet tjera të biznesit e politikës kosovare. Shqiptarët e Kosovës normalisht do jenë prezent jo vetëm për plazh por edhe me aktivitete të tjera”, ka thënë Ndreu.

Ai thotë se bashkëpunimi ka kaluar edhe në atë institucional me shumë komuna të Kosovës e me ministrinë ku përfshihet turizmi.