Kosova është ende në pritje të informacioneve nga autoritetet zvicerane përkitazi me planin e Inteligjencës së Serbisë për të vrarë senatorin Dick Marty dhe për t’ua hedhur për këtë fajin shqiptarëve.
Marty, autori i raportit që e ngarkonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe për trafikim të organeve, javën e kaluar ka njoftuar në mediat zvicerane mbi kërcënimet që i kishte marrë dhe për shkak të së cilave ishte vënë nën mbrojtje policore.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se tashmë i ka kontaktuar autoritetet e sigurisë në Kosovë dhe ka paralajmëruar veprim pas informatave që pritet t’i marrë nga Zvicra. Lidhur me rastin, Osmani ka theksuar se nuk është për t’u çuditur që Serbia mundohet t’ua hedhë fajin shqiptarëve për çështje të tilla.
“Nuk duhet të harrojmë që është një taktikë që Serbia e ka përdorur vazhdimisht përgjatë historisë së saj. Pra, ka kryer krime për të cilat pastaj ka dashur që t’i fajësojë shqiptarët”, ka thënë ajo.
Marty gjatë së enjtes ka mohuar se ishte bërë shkak për arrestimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e Gjykatës Speciale, e cila edhe ishte themeluar pas akuzave të ngritura nga zvicerani. “Për shumë arsye, mediat shqiptare nisën që të më bënin cak dhe madje edhe në Parlament pati gjuhë të urrejtjes, edhe pse nuk kisha të bëja gjë me arrestimin”, ka thënë Marty.
Në një intervistë për “RSI”, Marty ka thënë se “shkaku i respektimit të autoriteteve” ka heshtur deri më tani lidhur me kërcënimin nga shërbimi sekret serb dhe për masën e mbrojtjes nën të cilën është tash e një vit.
Televizioni publik zviceran ka raportuar ditë më parë se shërbimi sekret i Zvicrës e kishte njoftuar Martyn në dhjetor të 2020-s se shërbimi sekret serb po e synon vrasjen e tij, me qëllim që t’ua lërë fajin kosovarëve.
Gjatë vizitës të së premtes në Komunën e Mitrovicës, presidentja Osmani i ka komentuar edhe ofendimet e adresuara nga homologu i saj serb, Aleksandër Vuçiq, në llogari të kryeministrit të Kosovës.
Gjuhën e përdorur nga Vuçiqi, Osmani e ka krahasuar me atë të Slobodan Milosheviqit.
“Nuk duhet të befasohemi nga gjuha e ministrit të Milosheviqit. Vuçiqi ka qenë ministër i propagandës gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, të shkaktuara nga ish-shefat e tij dhe tani më 2022 po e dëshmon logjikën e njëjtë të shekullit të kaluar. Akoma nuk e ka dënuar asnjë nga krimet e regjimit të Milosheviqit. Përkundrazi, vazhdon që ta glorifikojë dhe ta shfajësojë atë për krimet e kryera në Kosovë”, është shprehur Osmani.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka ironizuar me anë të një fjale të urtë serbe.
“Me fyerjet në llogari të presidentit Aleksandar Vuçiq, Vjosa Osmani ka treguar se jeton në të shkuarën dhe se Vuçiqi ka goditur në shënjestër, kur ka folur për politikanët e Prishtinës. Është interesante se si zonja Osmani e njohu veten, e kjo është mundësi për të mësuar një thënie tjetër serbe – një mizë i ra ariut!”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.
Presidentja ka reaguar edhe lidhur me blerjen e armëve kineze nga Serbia, duke e cilësuar këtë si veprim shqetësues. Ka theksuar njashtu se Serbia me fjalë ka zgjedhur rrugën evropiane e me vepra atë të presidentit rus, Vladimir Putin.
“Armatimi i Serbisë nuk po ndodh vetëm tani. Tani ka marrë përmasa shqetësuese, por siç e dini, në raport me Kinën dhe Rusinë janë duke e rritur armatimin e tyre minimum në 10 vjetët e fundit dhe kjo tregon se Serbia nuk është e interesuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, ka thënë ajo, duke shtuar se është duke e shqyrtuar vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me kryeministrin Albin Kurti.