Arbëri

Plani i Qeverisë për hapjen e urës në Mitrovicë s’i zmbraps ndërkombëtarët

Një ditë pasi që kryeministri Albin Kurti ka thënë se për hapjen e urës e ka një plan dhe se atë e ka ndarë me partnerët ndërkombëtarë, zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë deklaruar se nuk kanë ndryshuar qëndrim rreth kërkesës që hapja e saj të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. E njëri prej argumenteve të ndërkombëtarëve se hapja nuk i kontribuon situatës së sigurisë nuk vlen edhe për autoritetet lokale të Mitrovicës së Veriut, të cilët të martën i kanë larguar grilat e vendosura prej kohësh përreth objektit komunal

Bashkimi Evropian nuk e ka ndryshuar qëndrimin lidhur me urën qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, as pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se partnerëve ndërkombëtarë u është prezantuar plani rreth hapjes së saj. 

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka thënë KOHËS se blloku evropian tanimë ia ka bërë të qartë qëndrimin e tij kryeministrit Kurti. Në BE kanë kërkuar që rreth statusit të urës, e cila e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe, të diskutohet në tryezën e dialogut të Brukselit. Të njëjtin qëndrim i ka përcjellë Stano edhe në konferencën e shtypit të martën. 

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e urës është thënë qartë në ditët dhe javët e kaluara, dhe u është komunikuar partnerëve në Prishtinë e është diskutuar gjerësisht me partnerët e tjerë brenda BE-së, SHBA-së, NATO-s dhe KFOR-it. Qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar. Nuk ka asgjë të re”, ka deklaruar Stano.  

Ai ka shtuar se BE-ja synon që të shmangë “çfarëdo hapi të njëanshëm a të pakoordinuar që mund të ketë shumë ndikim negativ, jo vetëm te komunitetet e prekura, por edhe në administratën kosovare dhe Qeverinë në Prishtinë”.

“Po ritheksoj që ka diskutime dhe ndërveprime që po vazhdojnë lidhur me këtë çështje, në linjë me qëndrimin e BE-së që veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara duhet të shmangen e që kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Ky është pikëvështrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës. Autoritetet e Kosovës do t’i bënin shërbim të mirë vetes dhe qytetarëve nëse do t’i dëgjonin mesazhet nga partnerët dhe aleatët”, është shprehur Stano. 

Por për Qeverinë e Kosovës diskutimet në Bruksel për çështjen e urës në Mitrovicë janë mbyllur me marrëveshjet e para disa vjetëve, të cilat nuk janë zbatuar deri më tash. Punimet për rivitalizimin e urës dhe testimet për qëndrueshmërinë e saj janë kryer nga Bashkimi Evropian. Testime ka bërë edhe një kompani e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës, rezultatet e së cilës kanë konfirmuar se ura është e qarkullueshme edhe për automjete të rënda. 

Kryeministri Kurti ka thënë të hënën në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se për hapjen e urës Ekzekutivi e ka një plan, të cilin e ka ndarë me partnerët dhe se ka pasur konsulta me serbët lokalë. 

“Nuk do t’i befasojmë partnerët, por edhe nuk duhet që të lejojmë që kjo çështje të zvarritet në pafundësi”, ka thënë ai. 

Derisa në Qeveri nuk është dhënë ndonjë datë se kur mund të hapet ura, autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut të martën kanë larguar grilat që e kanë rrethuar objektin e Komunës. Përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare kanë argumentuar se në rrethanat aktuale nuk mund të hapet ura për shkaqe sigurie. 

Por kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë të martën se grilat përreth objektit të Komunës janë larguar pas vlerësimit profesional se situata e sigurisë është përmirësuar dukshëm.
“Nuk duhet dhe nuk do të ketë barriera mes atyre që u shërbejnë qytetarëve dhe vetë qytetarëve. Do të vazhdojmë që çdo ditë e më shumë t’u shërbejmë qytetarëve, me përkushtim e pa dallim”, ka shkruar Atiq në rrjete sociale. 

E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë qëndruar të martën në veri. Prezenca e tyre ka nxitur reagimin e disa serbëve, përfshirë edhe të politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviq, të cilët u kanë fishkëllyer para lokalit në të cilin po qëndronin zyrtarët qeveritarë.