Arbëri

“Plani B” i KQZ-së do të funksionalizohet nëse vazhdojnë problemet me numërim të votave

Në pritje të ecurisë së procesit të numërimit në gjithë vendin është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para se të aplikojë një plan tjetër. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se plani tjetër është ai i numërimit me metodën e vjetër, e për nisjen e së cilës do të duhen më së shumti 5 ditë

Katër ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve e telasheve me të cilat është përballur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka plan rezervë se si të procedojë tutje me numërimin e votave.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se do të presin fillimin e numërimit të votave për kandidatë në të gjithë vendin, e ecurinë e procesit, para se të fusin në funksion planin e dytë, atë të përdorur vite më parë.

“Sot me drejtorin edhe me stafin e kemi diskutuar që të presim edhe sot dhe nesër të presim se si po shkon procedura e numërimit përmes sistemit. Nëse çdo gjë është në rregull, do të vazhdojmë, nëse do të kemi probleme në disa nga qendrat e numërimit, ne menjëherë do të fillojmë një procedurë tenderuese për printimin e disa formularëve të cilët janë të nevojshëm për numërimin e votave. Ajo do të marrë kohë maksimum 4-5 ditë dhe do t’i kemi formularët dhe do të vazhdojmë me mënyrën e vjetër”, tha Radoniqi.

E një proces i tillë, sipas Radoniqit, mund të zgjasë deri në dy javë ditë.

Vonesën e fillimit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë e kritikuan anëtarët e KQZ-së.

“Ditën e parë është dashur të mendohet për opsione të tjera... Kemi qenë institucioni më kredibil, ditët e fundit jemi në tabet. Edhe me faj pak po edhe më shumë pa faj se një sistem s`ka funksionuar, i cili ka qenë edhe jashtë mundësive tona”, u shpreh anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti.

Ata u shprehën të shqetësuar për kandidatët për deputetë, të cilët ende nuk kanë informacione në lidhje me votat që kanë siguruar.

“Njerëzit kanë garuar edhe faktikisht janë në terr në kuptim të informatës që ka ndodhur. Bëjeni opsionin edhe marrim opsione tutje”, shtoi Hamiti.

“KQZ të fillojë me publikimin e rezultateve të kandidatëve. Nuk ka kohë më për t’u humbur, sa më shumë që vonohet ky publikim i rezultateve, aq më e madhe është pakënaqësia, aq më i madh është presioni se krijohet mosbesim në institucione”, tha anëtari tjetër i KQZ-së, Arianit Elshani.

Një zgjidhje për ta e ofroi anëtari i Vetëvendosjes në KQZ.

“Kandidatët e subjekteve, se aty është problemi më i madh me gjasë, le të pinë Bencedina dikush e dikush le të durojë se rezultati është në kuti... rezultati do të bëhet publik... në mars ata do ta dinë fatin e tyre prej këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Alban Krasniqi.

E në lidhje me votat e mërgatës, në KQZ bënë të ditur se po vazhdon vlerësimi i pakove të tyre dhe se deri më tash janë anuluar 529 zarfe me fletëvotime për shkak të parregullsive.

Sipas udhëheqësit të sekretariatit të KQZ-së, vlerësimi i të gjitha pakove të ardhura nga jashtë do të marrë kohë rreth 10 ditë.