Fiks njëzet vjet pas çlirimit, motër e vëlla, me ndjenja të përziera u janë kthyer fotografive të çasteve të gëzueshme të familjes. Më shumë kanë folur për momentet e “ngrira”, në të cilat është edhe motër Eminja.
Janë bërë mbi njëzet vjet prejse Xhemajl Shabani e Fikrije Reshani nuk dinë asgjë për fatin e motrës së zhdukur më 16 prill të vitit 1999. Bashkë me Emine Muhaxherin ishte edhe gruaja e kushëririt të burrit, Sanije Muhaxheri, nga fshati Dremjak i Ferizajt, shkruan sot “Koha Ditore”.
Eminja nuk i kishte përfillur lutjet dhe kërkesat e burrit e të tre fëmijëve që të mos nisej me Sanijen këmbë nga fshati veriperëndimor drejt qytetit përgjatë rrugës kryesore prej rreth dhjetë kilometrash në kohën kur forcat serbe po hakmerreshin kundër qytetarëve të pafajshëm në kulmin e bombardimeve të NATO-s. Dy gratë do të merrnin rrugë drejt shtëpisë së Sanijes në qytet pasi Eminja ishte e vendosur të mos e linte të vetme.
“Burri e djali i kishin pasë thanë: ‘Mos shko’, por Mina ka qenë e vendosur mos me lanë vetë”, thekson Reshani. Rrëfimin ia plotëson vëlla Xhemajli: “Ajo ka dashtë me ardhë edhe me na pa neve në qytet qysh jemi”.
Ndarja pa lamtumirë e djalit me nënën
“Bile djalit të madh, Ilirit, i ka mbetur zhig që nuk i kish pasë thanë ditën e mirë kur janë nisë”, thekson Reshani, duke përshkruar çastet e fundit të motrës para ndarjes me familjen.
“Çikës i kish pasë kallxu qysh me ba pasulin, bile iu kish pasë thanë me hajgare se ‘nëse vonohemi, lajmërojmë në ‘Deutsche Welle’”, kujton ajo momentet e fundit para ndarjes së Emines me fëmijët - Iliri, atëherë 20 vjeç, Trëndelina 14 dhe Bajrami 7.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)