Një punonjësi të xhandarmërisë së Serbisë i është lexuar aktakuza për krime lufte të kryera në një fshat të Malishevës. Prokuroria e bën atë përgjegjës për ndalim, torturë, keqtrajtim fizik e psikik të 500 civilëve. E, i pandehuri u deklarua i pafajshëm.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pjesëtarit të xhandarmërisë së Serbisë, Sërgjan Lazoviq, i janë lexuar akuzat për krime lufte në Malishevë.
Prokurori Kastriot Memaj tha se nga data 3 deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Lazoviqi dhe pjesëtarë të panjohur të forcave serbe arrestuan, ndaluan, torturuan dhe maltretuan 500 civilë shqiptarë, ku bëjnë pjesë edhe të dëmtuarit që janë propozuar të dëshmojnë në këtë rast e të cilët ishin ndaluar në shkollën e fshatit.
“Fillimisht i selektonin disa nga të ndaluarit, më pas i merrnin një nga një dhe i dërgonin në atë klasë për t'i marrë në pyetje dhe për t'i rrahur, në mesin e tyre edhe të dëmtuarit Zeqir Bajrami, Ramadan Gashi dhe Ramadan Bacaj, të cilët i torturonin fizikisht me armë, mjete të forta si shkopinj prej druri, mjete të punës dhe kabllo, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike me ç'rast 13 prej tyre i arrestojnë dhe i dergojnë në Burgun e Dubravës”, theksoi Memaj.
Prokurori tha se i akuzuari ka marrë pjesë edhe në dëbim dhe dëmtim të pasurisë së popullatës civile të Panorcit dhe të fshatrave përreth.
Ai theksoi se banorët e këtij fshati dhe të zhvendosurit nga fshatrat e Klinës u rrethuan dhe u sulmuan nga forcat serbe dhe më pas u dëbuan nga shtëpitë.
“...fillimisht e rrethuan fshatin Panorc dhe fshatrat përreth dhe pastaj i bombarduan me artileri të rëndë kurse në fund hynë me këmbësori dhe shkuan shtëpi për shtëpi dhe nën kërcënimin e armëve i detyruan banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre duke i obliguar që në kolonë të largohen në drejtim te Shqipërisë, pastaj u plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe mjetet transportuese të civilëve, kurse në fund i dogjën të gjitha duke u shkaktuar dëme te mëdha materiale”, deklaroi Memaj.
I pandehuri Sërgjan Lazoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat.
“Nuk e pranoj as aktakuzën e as fajësinë”, tha Lazoviq.
Në këtë seancë gjyqësore më së gjati është diskutuar lidhur me deklaratën e një dëshmitari të mbrojtur, të koduar si D1. Prokuroria nuk ia ka dhënë këtë deklaratë mbrojtjes, por gjykata e detyroi ta bënte të kundërtën, me kërkesë të avokatit Predrag Milkoviq.