Arbëri

Pjesëmarrja e serbëve nga Kosova në tubimin pro-Vuçiq “keqpërdoret” nga pushteti në Serbi

Përfshirja e serbëve të Kosovës në protestat e brendshme të Serbisë dhe në mbështetje të presidentit Aleksandër Vuçiq është shndërruar në front të betejës politike mes pushtetit dhe opozitës në këtë shtet. Pjesëmarrja e tyre është shfrytëzuar për ta forcuar narrativin për atë që pushteti në Serbi e ka quajtur “unitet kombëtar” kundrejt protestuesve kundër pushtetit të Vuçiqit. E analisti Arbnor Sadiku ka thënë se presidenti i Serbisë është duke i keqpërdorur serbët për qëllime politike të tij

Në prag të kundërprotestës që do të mbahet të shtunën në Beograd në mbështetje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zyrtarë të lartë të Qeverisë serbe kanë vënë në qendër të vëmendjes pjesëmarrjen e serbëve nga Kosova, duke e paraqitur atë si një shenjë të unitetit kombëtar dhe të mbështetjes së fuqishme për politikën shtetërore ndaj Kosovës.

Nuk kanë munguar as akuzat ndaj opozitës dhe ndaj mediave kritike në Serbi, të cilat, sipas tyre, po i trajtojnë serbët e Kosovës në mënyrë të ngjashme me qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka akuzuar mediat se po e portretizojnë negativisht pjesëmarrjen e serbëve nga Kosova në protestë, meqë kanë raportuar se ata nuk po udhëtonin në këmbë, siç kanë thënë, porse në autobusë. Sipas tij, mediat “po i ndjekin me dronë, njësoj sikurse Kurti”.

“Kjo vetëm tregon se sa janë të ngarkuar me serbët nga Kosova e M që po ecin për të mbështetur presidentin Vuçiq dhe shtetin e tyre Serbinë, madje po i spiunojnë me dronë. Në atë mënyrë i ngjajnë shumë Kurtit. Mos u shqetësoni, Serbia do të fitojë”, ka shkruar Petkoviq në platformën “X”.

Deklarata është dhënë në kohën kur tensionet politike kanë shënuar rritje në Serbi, ku protestat dhe kundërprotestat janë shndërruar në mjet kryesor të mobilizimit politik dhe shoqëror.

Analisti Arbnor Sadiku ka thënë se përfshirja e serbëve të Kosovës në këto zhvillime është duke u keqpërdorur nga pushteti në Serbi për të konsoliduar mbështetjen e brendshme.

“E para e punës është që historikisht, që nga koha e Milosheviqit, serbët e Kosovës janë përdorur ose keqpërdorur nga pushteti një herë në Kosovë e tashmë edhe në Serbi. Madje thënie të tilla, ku në kaluarën iu është thënë serbëve që ‘nëse një lopë e shqiptarëve hyn në tokat bujqësore tuaja, atëherë ngjitjani emrin, mos thuaj që është vetëm një lopë, por edhe mbiemrin shqiptare’ dhe natyrisht që edhe sot këto protesta i keqpërdorin për të arritur deri te mbajtja e pushtetit”, ka thënë Sadiku.

Ai ka theksuar se serbët edhe mund të jenë të detyruar të shkojnë në Beograd, për shkak të kushtëzimit nga ana e Serbisë me dhënie të ndihmave.

“Dihet që Vuçiqi tashmë është në një krizë të madhe sa i përket legjitimitetit dhe asaj që quhet besueshmëri në politikë. Përveç kësaj, ai tenton që t'i gënjejë serbët e Kosovës, pasi që ata nuk e jetojnë realitetin e Serbisë dhe në të njëjtën kohë varen nga ndihmat sociale që i jep Serbia për ta, përmes institucioneve paralele, qoftë pensioneve e ndihmave të tjera ekonomike për serbët. Ata në një njëfarë forme janë të varur nga politika dashakeqëse e Vuçiqit”, ka potencuar ai. 

E opozita në Serbi i ka kualifikuar akuzat e ngritura nga Vuçiqi si përpjekje për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme, duke e instrumentalizuar çështjen e Kosovës për qëllime politike.

Një grup serbësh nga Kosova, të cilët janë nisur nga Rudnica gjatë fundjavës së shkuar, planifikojnë që të ecin edhe 250 kilometra, me qëllim që t'i bashkohen tubimit tre-ditor që do të mbahet në Beograd.

Kjo nuk është hera e parë që serbët nga Kosova kanë ecur drejt Beogradit, duke udhëtuar qindra kilometra për ta treguar mbështetjen për presidentin Vuçiq. Njësoj kanë vepruar edhe në vitet 2023 dhe 2019.

Nga ana tjetër, studentët serbë kanë siguruar mbështetjen e qindra mijëra njerëzve, pas protestave të vazhdueshme në kërkim të përgjegjësisë për 16 viktimat e 1 nëntorit nga shembja e strehës së stacionit të porsarenovuar hekurudhor në Novi-Sad. Vendosmëria e tyre ka bërë që të nxiten edhe qytetarët që janë të pakënaqur me politikanët dhe që kanë humbur besimin në institucionet e shtetit.

Në protestën e 15 marsit, pas incidenteve sporadike në mes të protestuesve dhe të policisë, studentët të cilët kanë organizuar protesta paqësore prej më se katër muajsh, kanë bërë thirrje për fund të protestës, duke thënë se nuk mund të garantonin më shumë sigurinë e të gjithëve.

Vuçiqi i ka refuzuar propozimet për një qeveri kalimtare, e cila do ta përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme. Në mes të tensioneve, mbështetësit e Vuçiqit patën ngritur një kamp në qendër të Beogradit, para zyrave të tij shtetërore. Aty përfshiheshin ish-pjesëtarë të njësive paramilitare që kanë qenë të përfshira në vrasjen më 2003 të ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq. Në këtë grup ka pasur po ashtu edhe huliganë të futbollit, të cilët njihen për shkaktim të dhunës.

Vuçiqi ka akuzuar në vazhdimësi shërbimet rajonale të inteligjencës, përfshirë Kosovën dhe ato të Perëndimit, se qëndrojnë prapa protestave gati të përditshme të studentëve me qëllim të rrëzimit të tij nga pushteti. Por nuk ka ofruar dëshmi për këto pretendime.