Arbëri

Pezullohet ardhja e autobusëve të rinj në kryeqytet

Flotë e re autobusësh nga 1 janari i 2025-s e më shumë linja për të gjitha lagjet e kryeqytetit. Ky ishte një nga premtimet që dha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në maj të këtij viti.

Kanë mbetur vetëm edhe 4 muaj deri në fillim të vitit të ri dhe procedurat për ardhjen e autobusëve të rinj janë pezulluar.

Burime të KOHËS thonë se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka pezulluar ardhjen e tyre për shkak të mospërmbushjes së kritereve për marrjen e kredisë. Ndër to, raporti jo i mirë financiar për tremujorin e parë të këtij viti dhe mosvazhdimi i kontratës së pronës për ndërmarrjen “Trafiku Urban”.

Duke qenë se 2025-ta është viti i fundit i këtij mandati, rreziku është që qytetarët të mos i gëzojnë autobusët e rinj as me këtë qeverisje, pasi BERZH-i thotë se procedurat e prokurimit mund të fillojnë vetëm atëherë kur edhe plotësohen kriteret e parapara.

“BERZH-i mbetet i përkushtuar për ta mbështetur reformimin e transportit urban në Prishtinë. Ne po ndjekim me vëmendje zhvillimet te “Trafiku Urban” dhe presim që prokurimi të fillojë sapo ta lejojnë kushtet”, thuhet në përgjigjen e BERZH-it.

Por kryetari i Prishtinës, Përparim Rama nuk e pranon një gjë të tillë.

Sipas tij, nuk ka pasur asnjë refuzim apo pezullim nga ana e BERZH-it dhe se po vazhdon përpjekja për sjelljen e flotës së fundit të autobusëve të rinj.

“Jo nuk është refuzuar, por kanë dashtë me pa raportet sepse ka pasur ndryshime që vetë bordi e ka heqë prej detyrës ish-shefin ekzekutiv. Tani me ushtruesin e detyrës kemi një raport të ri financiar ku shihet se parashikimet janë pozitive dhe ‘Trafiku Urban’ do të jetë në gjendje t’i përmbushë vetë nevojat kreditore po ashtu edhe bazën e financave që është e nënshkruar si kontratë me BERZH-in dhe ajo të financohet prej ‘Trafikut Urban’ ”, ka thënë Rama.

Megjithatë, Rama pranon se kjo ndërmarrje ka pasur probleme me të hyrat financiare duke fajësuar bordin për punësime partiake.

“Kam marrë informacione për më shumë se 1 muaj faktikisht se bordi ka heqë prej pozitës ish-shefin ekzekutiv të bordit të autobusëve për arsye se menaxhimi i të hyrave apo i financave të ndërmarrjes nuk ka qenë i mirëfilltë, ka treguar deficit në tremujorin e parë dhe në bazë të asaj kanë paraparë që do të ketë deficit deri në 1 milion e cila faktikisht është e papranueshme sepse ne e financojmë në mënyrën më të mirë të mundshme por të mos ketë aty punësime pa lidhje, partiake që kanë ndodhur si rezultat, është rishikuar buxheti, është ristrukturuar i gjithë procesi dhe problemet që trafiku urban i ka pas duket se janë zgjidhur të gjitha këto probleme dhe prandaj unë i kam ftuar përfaqësuesit e BERZH-it dhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit të ‘Trafikun Urban’ që ne të merremi vesh për hapat e mëtutjeshëm. Pra procesi i blerjes së autobusëve nuk është ndalë, vazhdon e kemi përkrahjen e plotë nga BERZH-i”, ka shtuar kryetari i Prishtinës.

Nga bordi i drejtorëve në “Trafikun Urban” thonë se ende nuk ka diçka konkrete rreth autobusëve të rinj. 

E gjithë kjo del të jetë për shkak të marrëdhënieve jo të mira të bordit të “Trafikut Urban” me vetë komunën.

Ylber Çitaku, kryesues i Bordit të Drejtorëve, thotë se që nga ardhja e bordit të ri në “Trafikun Urban” vetëm gjatë kësaj jave komuna ka organizuar takimin e parë me ta.

“Nuk ka ende diçka konkrete nëse do të vijnë autobusët e rinj. Ka mbetur muaji shtator të jetë vendimtar për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura. I pyetur për raportet me Komunën e Prishtinës, ai tha se në muajin janar është zgjedhur bordi i ri dhe vetëm gjatë kësaj jave kanë arritur ta zhvillojnë takimin e parë mes vete. Kjo tregon më së miri për raportin me komunën. Ne gjithmonë i jemi referuar komunës dhe i kemi dërguar raportet. Asnjëherë nuk kemi pasur përgjigje nga ta”, ka thënë Çitaku.

Si pasojë, kësaj ndërmarrjeje nuk iu është vazhduar as kontrata e pronës që nga muaji maj.

“Nga maji i këtij viti ka skaduar kontrata e pronës dhe ende nuk ka pasur asnjë iniciativë për ta vazhduar atë”, ka shtuar ai.

Shefi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, thotë se e gjithë kjo po bëhet për shkak të inateve partiake LDK dhe PDK.

“Me të vërtetë është shumë keq për qytetarët e Prishtinës që 3 vjet pas marrjes së pushtetit nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari Përparim Rama ende nuk kemi asnjë autobus të ri, asnjë linjë të re vetëm degradime që i ka ofruar “Trafiku Urban”. Situata e fundit është shqetësuese pasi me gjasë është pezulluar blerja e autobusëve të rinj dhe më duhet ta them se është pasojë e inateve politike të subjekteve që kanë qeverisur me Prishtinën, LDK dhe PDK. Që një kohë të gjatë ka një kërkesë të bordit të ndërmarrjes “Trafiku Urban” për plotësimin e disa kushteve të cilat janë edhe kushte që janë paraqitur nga BERZH-i si kreditor për blerjen e autobusëve të rinj, por pushteti nuk ka arritur t’i përmbushë ato kushte”, ka thënë Sveçla.

“Tani kemi një situatë kur ka një pezullim të cilit po mundohet t’i ikë pushteti, por realiteti është që autobusët e rinj nuk po shihen askund, vazhdojmë të kemi vonesa të autobusëve, shumë pjesë të qytetit nuk janë të mbuluara me linja lirisht mund të themi se sa i përket situatës dhe ofrimit të shërbimit të “Trafikut Urban” sot është më keq se që kur ka filluar pushtetin kjo qeverisje. Me bindje të plotë ju them se në fillim të janarit nuk do të vijnë autobusët e rinj pasi procedurat për to ende nuk kanë nisur”, ka theksuar asamblisti i VV-së.

Përveç “Trafikut Urban”, që nga janari është premtuar se do të ketë autobusë të rinj edhe për transportin publiko-privat.