Agjencia e Pyjeve të Kosovës që nga qershori i vitit 2024 ka pezulluar qiradhënien e tokave pyjore, ndërkohë që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale thotë se shqyrtimi dhe licencimi i gurthyesve janë duke u kryer në vazhdimësi. Kompanitë që veprimtari kanë shfrytëzimin e materialeve inerte nuk i dinë arsyet se pse nuk po mund të pajisen me licencë të re. Ndryshe nga kompanitë private dhe interpretuesit ligjorë, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë një tjetër shqetësim. Ata nuk i ndalin kritikat për dëmtimin e mjedisit nga operimi i gurthyesve dhe i eksploatuesve të tjerë
Paqartësi juridike janë shfaqur muajve të fundit në procedurat e licencimit të gurthyesve, e paralel me to edhe kritika për keqshfrytëzimin e tokave pyjore e për degradimin e mjedisit.
Kompanitë që veprimtari kanë shfrytëzimin e materialeve inerte nuk i dinë arsyet se pse nuk po mund të pajisen me licencë të re, ndërkohë që institucionet përgjegjëse për dhënien e tokave me qira dhe ato për licencimin e operatorëve ekonomikë kanë dhënë interpretime kontradiktore për rregullimin ligjor të kësaj çështjeje.
Agjencia e Pyjeve e Kosovës që nga qershori i vitit 2024 ka pezulluar qiradhënien e tokave pyjore, ndërkohë që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale thotë se shqyrtimi dhe licencimi i gurthyesve është duke u kryer në vazhdimësi. KPMM-ja nuk ka treguar për numrin e kërkesave që janë në shqyrtim.
“Licencimi-shqyrtimi i aplikacioneve të gurthyeseve bëhet në vazhdimësi, nuk ka asnjë ndërprerje, pra aplikacioni që vjen, trajtohet bazuar në afate ligjore sipas LMM-së (Ligjit për Miniera dhe Minerale, Nr. 03/L-163 dhe Nr.04/L-158). Licencimet janë duke u kryer në vazhdimësi, për të gjitha ato aplikacione të cilat i plotësojnë kriteret për licencim, bazuar në LMM”, thuhet në përgjigjen e këtij komisioni.
Kadri Ibrahimi është menaxher i kompanisë “Bentokosi i Ri” në Gërçar të Kllokotit dhe nga marsi i vitit 2024 është në pritje të rilicencimit nga KPMM-ja. Ibrahimi thotë se nuk i di arsyet pse nuk ka pranuar përgjigje nga Komisioni gjatë këtyre 12 muajve, por që së fundmi një ekip i KPMM-së ka shkuar për inspektim të zonës së punimeve.
“Deri më tani nuk kemi pasur asnjëherë probleme, por mbi të gjitha çështja e licencës ka ngecur një fije... Kanë qenë inspektorët, e kanë inspektuar, i ka kaluar ato inspektime. Kështu që tani jemi vetëm në pritje të bordit për të vepruar”, ka thënë Ibrahimi.
Vendimi i cili e pezullon dhënien e kontratave për shfrytëzim me qira të tokave pyjore, sipas një dokumenti të Agjencisë së Pyjeve, është marrë me arsyetimin se ka mosharmonizim të Ligjit për Pronën Publike dhe Ligjit për Pyje.
“Bazuar në nenin 23 të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura, nenin 38 për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, të Ligjit për pyjet, të nenit 85 dhe nenit 84 pika 1, të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, Ligjit për pronën publike, u.d. drejtori ekzekutiv i APK-së, pas shqyrtimit dhe analizimit të çështjeve ligjore ndërmjet ligjeve të cekura, si dhe përgjigjes nga Zyra e Kryeministrit të datës 6.6.2024, merr këtë vendim: PEZULLOHEN të gjitha kërkesat që janë ushtruar nga personat fizikë dhe juridikë për marrjen e pyjeve dhe tokës pyjore me qira, si dhe kërkesat për vazhdimin e kontratave për këtë qëllim”, thuhet në dokumentin e Agjencisë së Pyjeve.
Agjencia e Pyjeve, në njoftimin e lëshuar më datë 12 qershor 2024, ka dhënë argumente shtesë për pezullim të lëshimit të kontratave për marrje me qira të tokave pyjore.
“Njoftohen personat fizikë dhe juridikë se nuk mund të ushtrojnë kërkesat për marrjen me qira të pyjeve dhe tokave pyjore, si dhe kërkesat e tjera për vazhdimin e kontratave, për shkak të paqartësive ligjore që kanë ardhur si rezultat i hyrjes në fuqi të Ligjit për pronën publike dhe në pajtim me nenin 85 të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, i cili thekson se, kur organi publik që zhvillon procedurën has në një çështje, zgjidhja e së cilës është parakusht për zgjidhjen e çështjes kryesore dhe e cila përbën një çështje juridike të pavarur, për zgjidhjen e së cilës është kompetente një gjykatë apo organ tjetër, organi publik që zhvillon procedurën do të pezullojë çështjen kryesore, derisa çështja paraprake të jetë vendosur”, shkruan në njoftimin e Agjencisë së Pyjeve.
Juristi Anton Nrecaj thotë se dy ligje kundërshtojnë njëri-tjetrin në pjesën e kontraktimit për dhënien e shfrytëzimit të pronave të shtetit, në këtë rast të tokave pyjore.
“Me një anë e kemi Ligjin për pyjet të Republikës së Kosovës, i cili është në fuqi e që, sipas tij, të gjitha pronat, pyjet shtetërore janë në pronësi të shtetit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër e kemi Ligjin për pronën shtetërore, i cili po ashtu i referohet së njëjtës gjë, që të gjitha pronat janë në pronësi të shtetit të Kosovës, respektivisht të Qeverisë së Republikës së Kosovës. E tash këtu kemi një mospërputhje sa i përket pjesës së kontraktimit, dhënies së kontratës në shfrytëzim, me qira për periudha të caktuara. Nëse i referohemi Ligjit për pyjet thotë që agjencia përkatëse mund të japë vendimin pasi të plotësohen kriteret dhe përmes një akti nënligjor, të cilin do të duhej ta nxirrte Ministria përkatëse që të plotësohen kushtet dhe kriteret për operatorët qoftë ekonomikë, qoftë persona privatë, të jepen kontrata për periudhën e caktuar... Në anën tjetër, e kemi Ligjin për prona, ku të gjitha pronat që janë në pronësi të Qeverisë së Kosovës dhe Republikës së Kosovës menaxhohen nga Njësiti për Menaxhimin e Pronave të Shtetit, njësit që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe se i njëjti njësit do të duhej të bënte vlerësimin se si do të menaxhoheshin pronat, përfshirë edhe sendet e paluajtshme apo tokat pyjore shtetërore. Kemi edhe një dispozitë tjetër që thotë se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pronën shtetërore duhet si pikë reference të marrin Ligjin për pronat shtetërore”, ka sqaruar Ndrecaj.
Sipas Nrecajt, kur kemi zbrazëti ligjore ose kur ligjet bien ndesh me njëri-tjetrin shkaktohen paqartësi në marrjen e vendimeve. Duke komentuar situatën e krijuar, ai e ka vlerësuar të drejtë vendimin e Agjencisë së Pyjeve.
“Çka e kemi situatën në të vërtetë është se në pjesën tjetër futet edhe Ligji për procedurën administrative. Edhe këtu e kemi një zbrazëti, sepse në këto situata, cilido vendim që merret do të hyjë në fuqi Ligji për konflikt administrativ, sepse do të kemi vendime të të njëjtit organ administrativ, në këtë rast Agjencisë së Pyjeve, i cili do të duhej të nxirrte një vendim bazuar në Ligjin për pyjet për njërin operator dhe në të njëjtën kohë do të nxjerrë po ashtu një vendim për operatorin tjetër duke iu referuar ligjit tjetër. Atëherë këtu, përpos që kemi konflikt administrativ, kemi edhe këtë pjesën e paqartësisë e amullisë së dispozitave ligjore. Në këtë rast, vendimi që është nxjerrë nga APK-ja është shumë i drejtë”, ka thënë Nrecaj.
Për daljen nga situata e tashme, juristi Anton Nrecaj thotë se ekzistojnë disa mundësi që mund t’i shfrytëzojnë Agjencia e Pyjeve dhe operatorët ekonomikë.
“E para që e njëjta sipas vendimit që ka nxjerrë e që është i drejtë, e hapi tjetër që do të duhej ta bënte është t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim apo interpretim juridik se a janë në përputhje me Kushtetutën që të dyja ligjet, sepse në të dyja ligjet me fillim i referohen Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kështu që kjo paqartësi, ky mosinterpretim adekuat i dispozitave të këtyre ligjeve, mund ta japë më së miri Gjykata Kushtetuese. E dyta, nëse do të duhej të nisej një proces gjyqësor nga operatorët që kanë kërkuar që të vazhdojnë apo të nënshkruajnë kontrata me Agjencinë e Pyjeve për t’i marrë në shfrytëzim apo me qira pronat, pyjet shtetërore, do të duhej të nisnin një proces gjyqësor duke e kontestuar atë vendim dhe njëkohësisht t’i drejtohen Gjykatës Supreme të Kosovës, që të japë një mendim juridik, sa u përket këtyre dispozitave ligjore, sepse edhe Gjykata Supreme e ka këtë kompetencë ligjore që të bëjë interpretime dhe përmes këtyre interpretimeve të merret si praktikë ligjore, e cila do të duhej të ishte e zbatueshme në procese gjyqësore”, këshillon ai.
E kryesuesi i Komisionit të deritashëm për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, të cilit i ka raportuar Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale, vendimin për ndërprerje të licencimeve e quajti politik.
“Edhe bordi, edhe politika tash e katër vjet i ka sanksionuar, ndjekur e persekutuar ndërmarrjet e sektorit privat të këtij lëmi, duke i tërhequr licencat, duke i sanksionuar, duke i ndëshkuar dhe tash së fundmi duke mos realizuar asnjë. Si ka mundësi që 400 kompani nuk marrin përgjigje meritore juridike”, ka deklaruar Shala.
Këtë konstatim të Shalës e ka kundërshtuar anëtarja e Komisionit për Ekonomi në legjislaturën e fundit, Mimoza Kusari-Lila. Sipas saj, ndërprerja e licencimit është bërë me synimet për krijimin e një zyre që evidenton pronën publike në Kosovë.
“Ligji për menaxhimin e pronës publike parasheh krijimin e një zyre, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në të cilën bëhet evidentimi i të gjithë pronës publike në Republikën e Kosovës. Që nënkupton se do të ketë një regjistër të plotë në nivel vendi, në të cilin do të evidentohet prona publike. Arsyeja e këtij regjistri është fakti që të jetë e qartë, që të ketë mundësi, gjegjësisht hapësirë për tjetërsime ose manipulime të natyrave të ndryshme, që kanë ndodhur në veçanti në periudhën e pasluftës në Kosovë”, ka theksuar Kusari-Lila.
Ndryshe nga institucionet, kompanitë private dhe ekspertët e çështjeve ligjore, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë një tjetër shqetësim. Ata nuk i ndalin kritikat për dëmtimin e mjedisit nga operimi i gurthyesve dhe eksploatuesve të tjerë.
Laura Nushi, monitoruese në Institutin për politika zhvillimore, INDEP, tha se nëse inspektohen këto aktivitete në terren, do të shihen dëmet që shkaktohen si pasojë e punës së këtyre kompanive.
“Ana jonë është monitorimi vetëm nga ana legjislative. Unë më shumë jam e sigurt se nëse dalim në terren, atëherë gjendja do të ishte më e tmerrshme dhe do të ishin parë në anën tjetër kompanitë. Por edhe kompanitë që kemi dashur t’i kontaktojmë lidhur me licencimin apo për raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis, që janë të ndërlidhura ndërthorazi me këto licencime që vijnë nga KPMM-ja, duket sikur të njëjtit njerëz i hartojnë ato raporte, të njëjtat kompani edhe janë duke operuar ilegalisht, që e dinë të gjithë. E sidomos në rrugën që e përmendëm më parë në atë Prishtinë-Gjakovë. Por, deri aty përfundon monitorimi ynë, vetëm në “desk research”. E në terren e kemi shumë të kufizuar, sepse jemi direkt të afektuar”, ka thënë Nushi.
Situata me licencim, sipas Nushit, nuk ka ndryshuar edhe pas shkarkimit të bordit të KPMM-së më 2023. Ajo përmendi keqpërdorimet dhe operimet e jashtëligjshme të kompanive.
“Ndërkaq, për shkak të rilicencimit të gurthyesve, ata kanë thënë se janë duke kërkuar kompanitë konkrete për t’u rilicencuar, mirëpo për shkak të mungesës së bordit, nuk ka mundur të rikuperohet licenca e tyre. E që me një anë i bie që parimisht edhe nëse një ankesë ose një kompani që ka dashur të rilicencohet e nuk ka pasur të drejtë të licencohet, ata kanë vazhduar veprimin ilegal të tyre, pa ndonjë mbikëqyrje të Ministrisë së Mjedisit apo KPMM-së”, është shprehur ajo.
Instituti INDEP, në bashkëpunim me Grupin për Studime Politike dhe Institutin GAP kanë monitoruar nga afër edhe punën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Veç tjerash, këto organizata kanë shprehur pakënaqësinë me transparencën e këtij komisioni.
“Fatkeqësisht si “Corrwatch” me GLPS-në dhe Institutin GAP, INDEP-i ende nuk ka mundur të hyjë në mbledhjet e bordit gjatë shqyrtimit të licencave. Ne jemi regjistruar në platformën e KPMM-së, e cila është online, mirëpo edhe të dhënat që janë të plotësuara, janë mjaft kaotike. Ndërkaq si përgjigje që e kemi kërkuar të dhënat në tabelë për të gjitha aplikacionet, ka qenë po presim bordin apo po presim derisa të mblidhen të gjithë për të shqyrtuar aplikacionet. Por që, sot e dy vjet e gjysmë si shoqëri civile ende nuk kemi pasur qasje në këto dokumente”, është ankuar ajo.
Njohësi i ekonomisë, Adem Qorrolli, thotë se pezullimi i këtij procesi prek disa hallka të zinxhirit ekonomik.
“Ndikon në çmimin e betonierave, ndikon në çmimin e betonit si kub dhe sigurisht pritet që të rritet deri në 35 për qind çmimi për kubik në pjesën e betonit. Por, ajo çka është alarmante, çdo betonierë ka 8-10 punëtorë aktivë. Kurse, me moslicencimin e gurthyesve, ato do ta ndalin pjesën e furnizimit dhe sigurisht që nuk do të kenë fuqi punëtore, sepse duhet t’i lirojnë. Kurse, ato fuqi punëtore nuk janë të zakonshme, janë të licencuar me licenca të veçanta, ku tregu evropian ka kërkesë të madhe për ata persona dhe sigurisht mbi 1.000 vende të punës tashmë do të mbyllen në moslicencimin e tyre dhe për pjesën e neglizhencës”, ka thënë Qorolli.
Qorolli vlerëson se për pasojë mund të kemi humbjen e vendeve të punës dhe rritjen e çmimit të banesave, të shtëpive e të hapësirave afariste.
“Ajo çka është më alarmante është humbja e vendeve të punës nga shtresa e dytë, nga furnizuesit e tyre, të cilat janë betonierat. E njëkohësisht kjo do të ketë një impakt edhe më të madh dhe negativ, si rritja e çmimit të patundshmërisë, sepse me rritjen e çmimit të kubit për pjesën e betonit, kemi rritje edhe të metrit katror të ndërtimit, qofshin ato të banesave ose të shtëpive, ku pritet të ndryshojë deri në 55 euro metri katror. Ku tashmë për një objekt 10 mijë metra do të ketë impakt deri në 350 mijë euro dallim me ndryshimin e këtij çmimi”, ka vlerësuar ai.
Kompanitë gurthyese llogariten si ndër më fitimprurëset në Kosovë, por për disa prej tyre edhe me mbështetje politike për afro 20 vjet. Organizata joqeveritare kundër korrupsionit “Çohu” në një raport për periudhën 2009-2018 ka konstatuar se nga 279 kompani operuese, 42 janë të afërta me përfaqësues të subjekteve të mëdha politike në Kosovë. Për 17 prej tyre është thënë se kanë pronarë zyrtarë e ish-zyrtarë politikë.
KOHA ka dërguar pyetje që nga 21 janari në Agjencinë e Pyjeve për të marrë një përgjigje për situatën e krijuar dhe hapat që pritet të ndërmerren, por nuk ka pranuar përgjigje. E në dokumentet që posedon KOHA, shihet se brenda kësaj agjencie ekzistojnë afro 3 mijë lëndë, përkatësisht kërkesa për marrje të tokave pyjore me qira.