Arbëri

MPJ: Petkoviqi nuk u lejua në Kosovë sepse në vazhdimësi përdori gjuhë të urrejtjes

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kishte paraparë një vizitë dy ditore në Kosovë, më 3 dhe 4 shtator. Megjithatë, ai nuk u lejua të hynte. Për shkak të deklarimeve të tij nxitëse të urrejtjes gjatë vizitave të kaluara, autoritetet kosovare nuk e kanë lejuar atë në Kosovë.

Për KOHËN nga autoritetet u tha se Petkoviqi ka thyer zotimin që ka dhënë se do të përmbahej nga deklarimet nxitëse, megjithëse nuk sqaroi se cilat deklarime ministria i cilëson nxitëse.

“Z. Petkoviq, në rolin e tij si drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ashtu edhe si kryenegociator i palës serbe, ka ofruar në vazhdimësi garancione që vizitat e tij në Kosovë do t’i organizojë duke shmangur në tërësi provokimet dhe deklarimet eventuale nxitëse. Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit ‘universitetet’ në Mitrovicë të Veriut”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme drejtuar KOHËS.

Për më tepër, sqaron MPJ, Petkoviqi nuk e ka paralajmëruar këtë aktivitet tek pala kosovare.

“Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka lejuar hyrjen në Kosovë për datat 3-4 shtator 2021 atij, teksa për pjesën tjetër të delegacionit ka miratuar hyrjen”, ka sqaruar ministria.

Petkoviq planifikonte të vizitonte disa subjekte afariste ku shteti i Serbisë u ka ofruar vende të reja pune qytetarëve atje, thuhej në njoftimin e zyrës serbe. Në njoftim të kësaj zyre thuhej se Serbia e konsideron shkelje flagrante të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjes për vizitat e zyrtare, këtë ndalim. Ndërsa thotë se për vizitën u njoftua me kohë.

‘’Ky ndalim dhe sjellje ilegale e Prishtinës sigurisht që do të jetë tema e bisedimeve të ardhshme në Bruksel, veçanërisht duke pasur parasysh se vizita u njoftua me kohë dhe në përputhje me marrëveshjen’’, vijon tutje njoftimi.