Kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq, ka thënë se në vend se të sanksionohej, Kosova po shpërblehet me hapje të perspektivës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Nëpërmjet një postimi në platformën X, Petkoviqi ka thënë se tashmë “është kuptuar politika e Perëndimit”.
Petkoviqi ka pretenduar se Beogradi ka marrë garanci të forta për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës, por sipas tij, “të gjithë gënjyen”.
“4000 ditë më parë Prishtina mori përsipër të formonte Asociacionin dhe Beogradi mori garanci të forta ndërkombëtare se kjo do të bëhet. Të gjithë kanë gënjyer! Kurti vazhdimisht u bën të ditur serbëve në Kosovë e M., se heqja e të drejtës së tyre është e përhershme dhe se ata nuk janë gati për normalizim në terren. Për sabotimin e procesit të normalizimit, jo vetëm që Prishtina nuk u sanksionua në mënyrë adekuate, por u shpërblye duke hapur perspektiva për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare”, ka shkruar ai.