Këshilli i Evropës

Petkoviq i reagon Dora Bakoyannisit, raportin e saj e quan të turpshëm

Petar Petkoviq - Goran Rakiq

Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka kritikuar ashpër raportuesen e caktuar për Kosovën në Këshill të Evropës, Dora Bakoyannis. 

Raporti i Bakoyannisit për Kosovën kaloi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në mesin e majit do të votohet edhe në Këshillin e Ministrave dhe në rast se e kalon edhe këtë hap, atëherë Kosova do të pranohet në Këshill të Evropës. 

Petkoviq ka thënë se raporti i Bakoyannisit është “i turpshëm”. 

Bakoyannis ka thënë se asnjë vendi nuk i janë kërkuar aq shumë reforma para pranimit në Këshill të Evropës, siç i janë vendosur Kosovës. 

“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”, tha Bakoyannis në një artikull për “European Western Balkans”. 

E ndaj saj reagoi ashpër Petkoviq në platformën “X”. 

“Turp të keni Dora Bakoyannis! Nuk e di se cila është më e keqe, raporti i juaj i turpshëm apo çdo gjë që ju thoni në mbrojtje të së ashtuquajturës Kosovë! Ju përmendni një numër të reformave të pretenduara që të ashtuquajturës Kosovë i janë dashur t’i përmbushë për anëtarësim në KiE, por kurrë nuk përmendni se Prishtina nuk e ka themeluar AKS-në për 11 vjet, se i arreston dhe rrah serbët në përditshmëri, se është ndaluar qarkullimi i mallrave serbe për 10 muaj, se ka hequr dinarin dhe ndalon rrogat dhe pensionet për serbët, se ka kryer spastrim etnik të serbëve, dhunën institucionale, imponon kryetarë të rremë në veri, shkatërron varrezat serbe dhe konfiskon pronat e serbëve. Raporti i juaj i turpshëm Dora Bakoyannis nuk përmban asgjë nga ato gjëra më sipër”, ka shkruar Petkoviq.