Peticionin “Për shpëtimin e arsimit” e kanë nënshkruar afro 3 mijë qytetarë. Ky peticion i cili kërkon që shteti të bëjë ndryshime rrënjësore në sistemin e arsimit, është kualifikuar si i padobishëm nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. E iniciuesit e peticionit theksojnë se peticioni është i nevojshëm, pasi veprimet e Ministrisë nuk janë duke treguar efekt në përmirësimin e sistemit arsimor
Afro 3 mijë qytetarë kanë nënshkruar deri më tash peticionin e iniciuar nga Rrjeti Ombrellë i Shoqërisë Civile të Arsimit Parauniversitar në Kosovë, (ROSCAP), ku për qëllim ka disa ndryshime në sistemin arsimor.
Kërkesat e peticionit janë riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës, pensionimi vullnetar i parakohshëm për mësimdhënësit e moshës 55-64 vjeç, si dhe vlerësimi vjetor i aftësive dhe njohurive për të gjithë mësimdhënësit.
Mirëpo ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i ka kualifikuar këto kërkesa si të padobishme për ndryshimin e sistemit arsimor.
“Kam qenë shumë kurioze t’i lexoj kërkesat, sepse kam menduar që mund të na ndihmojnë në këtë proces. Nuk kam parë kërkesat që mendoj se i ndihmojnë dhe i kontribuojnë këtij qëllimi shumë të madh siç kanë thënë për shpëtimin e arsimit”, ka thënë ajo pas konferencës për prezantimin e udhëzuesit dhe pakos së instrumenteve për realizimin e vlerësimit të brendshëm të performancës së mësimdhënësve, ditë më parë.
Nagavci ka vlerësuar se kërkesat e paraqitura në peticion janë duke u trajtuar nga niveli qendror.
“Vlerësimi i performancës po e shihni që është një proces me të cilin ne jemi duke punuar. Riorganizimi i rrjetit të shkollave, po ashtu, është një proces për të cilin ne jemi duke punuar. Ndërkaq sa i përket kërkesës për pensionim të parakohshëm nuk ka asnjë të dhënë, asnjë studim që e tregon se mësimdhënësit të cilët janë 60 vjeç ose më shumë janë më pak të suksesshëm në punën e tyre”, ka shtuar ajo.
Mirëpo, kjo punë e Ministrisë nuk po vërehet nga të tjerët.
Egzon Gashi, drejtor në organizatën “Teach for Kosova”, që është iniciatore e peticionit, ka thënë se veprimet e Ministrisë nuk janë duke treguar efekt në sistemin arsimor.
“Nuk besoj që ka një njeri që e njeh arsimin në thelb që thotë se sistemi aktualisht është i mirë, as që thotë që Ministria aktuale është duke punuar në drejtimin e përmirësimit, janë duke bërë disa ndryshime të vogla që nuk kanë impakt në sistem dhe ne besojmë që peticioni ynë sigurisht do të ketë impakt direkt në sistemin e arsimit”, ka thënë Gashi.
Për disa nga problemet në arsim që është duke u kërkuar ndërhyrje urgjente, KOHA ka raportuar edhe më herët.
Plani për riorganizimin e shkollave është duke u zhvilluar me intensitet të ulët. Nga 78 shkolla sa ishte e planifikuar të mbylleshin vitin e kaluar për shkak se numërojnë numër të vogël të nxënësve, janë mbyllur vetëm 8 sosh.
Për ta adresuar këtë problematikë, rrjeti ROSCAP është duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i obligojë institucionet të ndërmarrin veprime konkrete për riorganizimin e të gjitha shkollave me më pak se 60 nxënës.
E, rreth 25 për qind e mësimdhënësve në Kosovë i përkasin moshës 55-64 vjeç.
Përmes peticionit, këto organizatat kërkojnë ofrim të mundësisë për pensionim të parakohshëm, që sipas tyre ndihmon në zvogëlimin e tepricës së mësimdhënësve në Kosovë, kursimin e burimeve dhe hapjen e rrugës së një brezi të ri.
Në vend llogariten se janë rreth 2 mijë mësimdhënës tepricë.
Për këtë, rrjeti ROSCAP-it është duke kërkuar nga ligjvënësit të krijojnë një ligj të ri me të cilin mundësohet pensionimi i vullnetshëm e i parakohshëm i mësimdhënësve të moshës 55 deri 64 vjeç në arsimin parauniversitar.
“Nëse mbyllen shkollat me më pak se 60 nxënës, teprica e mësimdhënësve do të bëhet edhe më e dukshme, prandaj kjo politikë e dytë do të adresojë drejtpërdrejt tepricën. Kjo do të ndihmojë edhe në zgjidhjen e problemit që kanë shumë komuna me mësimdhënës jashtë listave të pagave”, thuhet në arsyetimin e tyre.
E çështja e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve ende nuk ka filluar. Deri më tani llogaritet se rreth 750 mësimdhënës i janë nënshtruar vlerësimit të performancës. Ky proces është zhvilluar nga viti 2018 deri më 2020, kur është ndërprerë për shkak të pandemisë.
Ministria e Arsimit vitin e kaluar ka miratuar pakon me udhëzime administrative për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, si dhe rilicencimin e tyre. Nga ky legjislacion mësimdhënësit kanë tri lloje të licencave – atë të karrierës, të avancuar dhe licencën e përhershme.
Sipas Ministrisë së Arsimit, procesi për t’u pajisur me këto licenca pritet të nisë këtë vit.
Licencën e karrierës mund ta marrë çdo mësimdhënës që kalon me sukses vlerësimin e performancës nga shkolla. Mësimdhënësi do të vlerësohet nga drejtori i shkollës, nga mësimdhënësit e tjerë dhe nga nxënësit, e më pas edhe nga Inspektorati i Arsimit. Kjo licencë ka afat shtatë vjet dhe duhet të ripërtërihet, pasi që mësimdhënësi i mban së paku 100 orë për zhvillim profesional.
E pas kësaj, mund të aplikojë për licencë të avancuar. Për të marrë këtë licencë, mësimdhënësit do t’i nënshtrohen një provimi kualifikues. Shtatë vjet pasi ta marrin këtë licencë, mësimdhënësit mund të aplikojnë për licencën e përhershme, e cila nuk ka afat kohor dhe nuk ka nevojë për ripërtëritje.
Për këtë proces një rol të rëndësishëm luajnë edhe inspektorët e arsimit. Ky sistem ka rreth 25 inspektorë. Konkursi për shtimin e numrit të tyre ka dështuar dy herë, për shkak të dyshimeve për dallavere, si dhe për shkak të mosrespektimit të ligjit nga ana e Ministrisë së Arsimit për dërgimin e udhëzimeve administrative për publikim në Gazetën Zyrtare.
Muajin e kaluar është hapur konkursi për rekrutimin e tyre për të tretën herë. Dy konkurset e para janë hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa konkursi i ri është hapur nga Ministria e Arsimit.
Peticioni “Për shpëtimin e arsimit” po vazhdon, dhe atë kanë mundësi ta nënshkruajnë qytetarë.