Arbëri

Pesë raste të fruthit në Kosovë sivjet

IKSHPK

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Kosova është përballur me pesë raste të fruthit nga janari i këtij viti.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se rastet janë regjistruar në Fushë-Kosovë, Gjakovë e Deçan, e pacientët e kanë kaluar infeksionin pa komplikime.

Sipas IKSHPK-së, rastet e identifikuara gjatë muajit mars po monitorohen vazhdimisht.

“Rastet e fruthit të paraqitura gjatë muajit janar, e kanë kaluar infeksionin pa komplikime. Ndërkohë, rastet e identifikuara në muajin mars janë nën monitorim të vazhdueshëm nga ekipi mjekësor, për të siguruar trajtimin dhe menaxhimin e duhur të gjendjes së tyre shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e Institutit për KOHËN.

Javë më parë, IKSHPK-ja i ka ftuar prindërit që t'i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, por edhe kundër sëmundjes së shytave dhe rubellës.

“Në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse dhe ruajtjes së shëndetit të fëmijëve, është shumë e rëndësishme që të siguroheni që fëmijët e juaj të jenë të vaksinuar me vaksinat MMR (fruthi, shytat dhe rubella)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas Institutit, vaksina mbetet mënyra më e sigurt për parandalimin e rasteve të reja.