Shoqëria civile është duke kundërshtuar fuqishëm emrin e Enver Bujarit për pozitën e Komisionarit për Informim dhe Privatësi. Arsye për këtë kanë qenë CV-të e tij dhe mospërputhja e të dhënave në to. Pavarësisht kësaj, pushteti nuk i ka përfillur shqetësimet e shoqërisë civile dhe të mërkurën i votoi emrat e kandidatëve për t’ia dërguar Kuvendit për votim. Madje votimin e bëri pa votat e opozitarëve, të cilët lëshuan mbledhjen e Komisionit për Siguri duke kërkuar kthimin e procesit në pikën zero.
Emrat Enver Bujari, Krenare Sogojeva-Dërmaku dhe Edon Miftari i janë dërguar për votim Kuvendit. Bujari mori më së shumti pikë, gjithsej 69. Pas tij ishte Sogojeva-Dermaku me 63 dhe Myftari me 61.5.
Konkursi për Komisioner për Informim dhe Privatësi kishte dështuar tri herë, për shkak të ndërhyrjeve të njëjta politike. Pikërisht për këtë, edhe Ambasada e Britanisë ishte tërhequr nga monitorimi i konkursit në gusht të vitit të kaluar.
E Bujari, që ka konkurruar tre herë, ka dorëzuar tri CV të ndryshme.
KOHA ka siguruar këto dokumente ku shihet se përvoja e tij si Shef i Njësisë për Hetimin e Narkotikëve, në asnjërën prej CV-ve nuk janë të shënuara informacionet e njëjta. Në njërën figuron se Bujari ka punuar në këtë njësit nga 2009 deri më 2019, në tjetrën 2006 – 2019 dhe në të tretën 2006 – 2020.
Po ashtu, edhe përgatitja e tij profesionale nuk është e njëjtë. Në njërën nga CV-të figuron se Enver Bujari, nivelin bachelor në Universitetin “Fama” e ka filluar në vitin 2007 dhe e ka përfunduar në vitin 2010 dhe atë master 2012 – 2014. Ndërkaq, në tjetrën për nivelin bachelor shënohet se ka filluar studimet në vitin 2010 dhe i ka përmbyllur në vitin 2012, e nivelin master 2012 – 2014.
Organizatat e shoqërisë civile kërkuan përsëritjen e konkursit pasi paneli gjatë intervistimit nuk e ka përfillur metodologjinë e krijuar nga ekspertët britanikë, dhe e cila ishte pranuar nga Kuvendi për të siguruar meritokraci, integritet dhe legjitimitet të proceseve të përzgjedhjes.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk e dëgjoi rekomandimin tonë dhe vazhdoi me procedurë që nënkupton se kushdo që bëhet komisioner në këtë procedurë nuk do të jetë legjitim dhe nuk do të jetë i pranueshëm”, ka thënë për KOHËN, aktivistja Flutura Kusari.
Për të fituar pozitën, kandidatit për Komisioner për Informim i duhen 61 vota në Kuvend.