Arbëri

Përurohet rezervuari që siguron ujë për Prishtinën dhe KEK-un në raste emergjence

Në kuadër të projektit “Siguria e ujit dhe mbrojtja e kanalit të ‘Ibër-Lepencit’” është përuruar rezervuari i ri akumulues i ujit në Mihaliq të Vushtrrisë. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se rezervuari ka kapacitet prej 30 mijë metrash kub, dhe do të aktivizohet në rast të ndonjë aksidenti apo incidenti tjetër, si sulmi terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit” dy muaj më parë

Me një gjatësi prej 800 metrash e gjerësi prej 2 metrash është përuruar rezervuari i ri akumulues i ujit në Mihaliq të Vushtrrisë.

Ai është në kuadër të projektit “Siguria e ujit dhe mbrojtja e kanalit të ‘Ibër-Lepencit’”.

Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me këtë rezervuar do të përmirësohet infrastruktura e aseteve të ndërmarrjes.

“Rezervuari që po inaugurojmë sot ka një kapacitet prej 30 mijë metrash kub ujë dhe ofron rezerva për 24 orë, për termocentralin e KEK-ut ose për furnizim me ujë për KRU ‘Prishtina’, në rast të ndonjë aksidenti apo incidenti tjetër, që shpresoj të mos e kemi kurrë. Sido që të jetë, tani falë punës suaj, ne mund të qëndrojmë më të qetë me këtë rezervuar të ri që e kemi dhe me këtë hapësirë që na jepet për të manovruar me infrastrukturën kritike”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

Në vitin 2016, Banka Botërore kishte rekomanduar një projekt, i cili do të mundësonte ndërtimin e një rezervuari sigurie që do të garantonte termocentralet e Kosovës.

Por, bazuar në deklarimet zyrtare, rezervuari i përuruar këtë të mërkurë nuk ndërlidhet me projektin e propozuar nga Banka Botërore.

E, ministrja Rizvanolli tha se do të mbështesë çdo projekt që përkrahet nga ekspertët e fushës e që ka të bëjë me investimin e ujërave.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështetë çdo zgjidhje e cila është fizibile edhe teknikisht, edhe financiarisht, edhe që përkrahet nga ekspertët e fushës”, ka thënë ajo. “Në kohën kur është marrë ai vendim, ka pasur mendime të ndryshme edhe sa i përket fizibilitetit teknik, edhe sa i përket fizibilitetit financiar, kështu që ne, siç e kam cekur edhe në disa raste më herët, siç e dini, në sektorin e ujërave jemi duke bërë investime shumë të mëdha duke përfshirë edhe pesë diga të cilat do të ndërtohen dhe synimi ynë është që brenda këtij zhvillimi të gjithmbarshëm të sektorit të gjendet një zgjidhje që është fizibile edhe nga ana teknike, edhe nga ana financiare”.

Ndërtimi i rezervarit që do të aktivizohet në raste emergjente, është bërë rreth dy muaj pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, nga i cili furnizohet KEK-u për ftohje, e edhe një numër komunash për ujë të pijes.

Furnizimi me ujë i KEK-ut është rregulluar pak orë pas shpërthimit, pas intervenimit të institucioneve, inxhinierëve e punëtorëve të ndërmarrjeve publike. 

Ndërkaq, reduktime të ujit ka pasur në shumë komuna, përfshirë Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut, Vushtrrinë, Skenderajn, Drenasin, Obiliqin, Fushë-Kosovën dhe disa pjesë të Prishtinës.