Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) të enjten ka përuruar nënstacionin në Ferizaj dhe ky projekt që kap vlerën afro tetë milionë euro, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka për qëllim që të zgjidhë problemet e furnizimit me energji elektrike për banorët dhe bizneset e kësaj zone.
Rizvanolli ka theksuar se ky investim gjithashtu ndikon edhe reduktimin e humbjeve teknike prej 5 mijë megavat orë energji elektrike në rrjet.
Rajoni i Ferizajt është përballur me reduktime të shumta gjatë këtij dimri.
“Me energjezimin e këtij nënstacioni sot po zgjidhen problemet e furnizimit me energji për banorët dhe bizneset e kësaj zone, dhe po mundësohet lehtësimi i ngarkesës për vendbanimet që furnizohen nga linjat e ndërlidhura në komunën e Kaçanikut, Shtërpcës, përfshirë qendrën e skijimit të Brezovices dhe do të ketë ndikim pozitiv edhe tek një pjesë e konsumatorëve në Komunën e Shtimes. Ky investim gjithashtu ndikon edhe reduktimin e humbjeve teknike prej 5 mijë megavat orë në rrjet. Ky investim e rrit stabilitetin me furnizim me energji elektrike dhe eliminon ndërprerjet që kanë ndodhur, duke përmirësuar kështu kushtet e jetesës, mirëpo edhe duke mundësuar zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe social të qytetit dhe të Komunës së Ferizaj”, ka thënë Rizvanolli.
Kryesuesi i Bordit të drejtorëve në KOSTT, Gëzim Tosuni, ka thënë se efektet e këtij nënstacioni pritet që të dihen në ditët dhe muajt e ardhshëm në aspektin energjetik.
“Një projekt i cili është gati, kryesisht i mbështetur financiarisht, investim i KOSTT. Efektet e tij pritet që të ndjehen në ditët dhe muajt e ardhshëm... Mirëpo për shkak të kushteve të vështira, temperaturave të ftohta, kontraktoret dhe ekipet e KOSTT-it kanë bërë maksimumin e mundshëm për të përshpejtuar lansimin e këtij projekti. Prej sot qytetarët e Ferizaj nuk do të ngelen pa rrymë për shkak të KOSTT-it”, u shpreh Tosuni.
Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, ka deklaruar se ky investim është i një teknologjie të fundit dhe do të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike.
“Sot po e energjizojme nënstacionin Ferizaj 3. Ky nënstacion është i një rëndësie të veçantë, sepse mbështet qytetarët e Komunës së Ferizaj. Ky nënstacion ka pas sfidat e veta të përfundimit të cilat në bashkëpunim me gjitha palët i kemi tejkaluar. Ky është projekt strategjik i realizuar me përkushtim dhe vizion të të gjithë neve dhe shënon një periudhë të re në Komunën e Ferizaj, sepse do të mbështet qytetarët dhe bizneset në tërësi. Ky nënstacion kap vlerën prej rreth 7.8 milionë euro së bashku me linjën 3.31 kilometra. Ky investim është i një teknologjie të fundit dhe do të sigurojë furnizim të pandërprerë...Kërkojmë ndjese për çfarëdo ndërprerje që ka ndodhur e cila është shkaktuar për nevojat e ruajtjes së stabilitetit të energjisë dhe shpresojmë që në të ardhmen nuk do të ketë më reduktime ”, tha Zeqiri. /KP