Arbëri

Përurimi i nënstacionit policor në Soçanicë nxit reagime nga Serbia

Albin Kurti, Xhelal Sveçla e Gazmend Hoxha në Soqanicë të Leposaviqit

Albin Kurti, Xhelal Sveçla e Gazmend Hoxha në Soqanicë të Leposaviqit

Kryeministri Albin Kurti, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, përuruan renovimet në nënstacionin policor në Soçanicë të Leposaviqit të premten, çka ka nxitur reagime nga Serbia.

Kryeministri serb Millosh Vuçeviq ka thënë se kjo tregon se Kurti e do Kosovën pa serbë.

“Ata nuk duan që serbët të qëndrojnë në Kosovë. Në Soçanicë po bëjnë gjërat që janë në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet. Kjo tregon se ata e shohin Kosovë pa popullin serb”, ka thënë Vuçeviq.

Gjatë përurimit të renovimeve, kryeministri Kurti ka thënë se nënstacioni policor në Soqanicë do të shërbejë për të gjitha komunitetet pa dallim.

“Një renovim aq thelbësor për qytetarët i cili përbën një investim me vlerë prej 46 mijë e 400 euro, nga një dhomë në kushte të mjerueshme, tashmë është shndërruar në një godinë me tri dhoma, dhe dy banjo në 75 metra katrorë, e cila i ka kushtet e mira e të dinjitetshme për punën e Policisë tonë. Policia këtu do të jetë multietnike dhe ajo do t’i shërbejë qytetarëve pa dallim etnie, ngjyre, moshe, gjinie apo religjioni”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit të Kryeministrisë.

Ai e quajti ditën e sotme si ditë të mirë për mirë për qytetarët dhe Policinë e Kosovës, për sigurinë dhe paqen, “meqë paradite diplomuan 448 kadetë të Policisë, ndërkaq në mesditë u bë përurimi i investimeve në nënstacionin policor i cili është kontribut i shtetit për qytetarin nëpërmjet sundimit të ligjit dhe paqes e sigurisë për të gjithë, dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për të gjithë ata”.