Arbëri

Përtej “DokuFestit”

“DokuFesti” padyshim se është pika qendrore e ngjarjeve kulturore në Kosovë. Pos që lidh botën e filmit me Kosovën, nëpërmjet këtij organizimi, Kosova e vogël u bë pjesë e hartës kulturore të globit. E ndikimi i tij në ekonomi i sjell Kosovës miliona euro brenda dhjetë ditësh. Organizatorët e njohësit thonë se institucionet ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë që përfaqëson “DokuFesti” për diplomacinë publike të shtetit më të izoluar të Evropës

“Dokufesti” është më i madh se vullnetarët e tij tinejxherë. Ata shihen gjithandej rrugicave të zonës historike të Prizrenit, të përfshirë në festë kulture. Dy X-të metalike në urën që ju shpie matanë në “Shatërvan”, shenja e parë e edicionit jubilar.

Dhe në Kosovën e lodhur nga rënia e madhe ekonomike si pasojë e pandemisë, mbajtja fizikisht e festivalit në pika të ndryshme të qytetit historik, është kthyer në infuzion edhe për bizneset e Prizrenit dhe më gjerë.

Shumica e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmave të Shkurtër dhe Dokumentar realizohet gjatë orëve të mbrëmjes, por fryma e tij ndihet edhe gjatë ditës. Sidomos në zonën historike të qytetit. Aty ku edhe dhjetëra e mijëra shikues shohin më shumë se 200 filma nga e mbarë bota. “Lumbardhi” jua ofron freskinë e këtyre ditëve të nxehta verore. Kalaja sipër, kurorë e qytetit që gërsheton trashëgiminë e kulturave e civilizimeve të ndryshme.

Dritare për të izoluarit e fundit të Evropës

Megjithatë, ditët e festivalit ia shtojnë edhe më shumë gjallërinë qytetit, thotë Fis Bekçeli, i biri 16-vjeçar i njërit prej nismëtarëve të festivalit që po shënon njëzetvjetorin.

“Po me thanë se në qytet, para se të fillojë ‘Dokufesti’ është shumë thatë”, thekson Bekçeli. “Por si të fillojë ‘DokuFesti’, njerëzit fillojnë me ardhë, ka njëfarë gjallërie, muzika, filma. Ka atmosferë, është një atmosferë shumë e mirë edhe për ne, edhe Prizrenin, edhe qytetarët””.

Edhe gazetarët e kulturës, si Alberina Haxhijaj e grupit KOHA që e mbulon festivalin qe katër vjet, vëren ndryshimin që e sjell “Dokufesti” në ekonominë dhe diskursin publik.

“Vërehet një ndryshim i madh, do të thotë që në hyrje të Prizrenit. Ka kolona më shumë, rrugët e Prizrenit gjatë gjithë ditë me mysafirë të ndryshëm që jo vetëm me pa ‘DokuFestin’, por edhe qytetin e Prizrenit”, thekson Haxhijaj, e cila po qëndron në qytetin e Lidhjes Shqiptare prej ditës së parë të hapjes së edicionit të sivjetmë.

Në Kosovën e izoluar nga Bashkimi Evropian, që slogan ka shprehjen “Të bashkuar në diversitet”, themeluesit thonë se “DokuFesti” është dritare jo vetëm për botën e kulturës. Ekspozitat, debatet, master-klasat dhe ndejat e mëdha muzikore janë pjesë e nëntë ditëve të festivalit.

“Për mendimin tim, ‘DokuFesti’ përfaqëson, ndoshta fillimisht, një dritare në botë, duke pasur parasysh edhe shumë njerëz që vijnë këtu, nuk janë të vetëdijshëm që janë të izoluar në këtë vend, se sa vështirë është me dalë prej këtij vendi, se sa vështirë është me pritë për viza”, thekson Veton Nurkollari, njëri prej bashkëthemeluesve të festivalit. “Prandaj në këtë aspekt – sepse ka shumë aspekte këtu – por në këtë aspekt mendoj se është një dritare, sidomos për rininë për ta takuar botën”, shton ai, duke shtuar se festivali në njëfarë forme sjell botën në Kosovë kur kosovarët janë të fundit që përballen me regjimin e vizave në shtetet e Bashkimit Evropian.

Magjia e festivalit dhe ndikimi ekonomik

Ilir Shala, pronar kafeneje dhe përfaqësues i gastronomëve prizrenas, thotë se i gjithë qyteti ndien atë që e quan frymë magjike të 9 ditëve të festivalit. Ai thotë se festivali nuk përfaqëson vetëm kulturën shqiptare.

“Frymën që e sjell atmosferën, kulturën dhe të gjitha këto që sillen në qytetin e Prizrenit për kohën e ‘DokuFestit’ është krejt ndryshe”, thekson ai. “E ka një magji me frymën që ia jep qytetit, një atmosferë shumë të mirë”.

Në fakt, rritjes së përvitshme të festivalit në të cilin tashmë përzgjidhen edhe filmat për çmimet BAFTA, ia kanë parë hairin të gjithë sektorët e ekonomisë. Për ndikimin ekonomik, Instituti GAP ka nxjerrë dy studime.

Në raportin e vitit 2015 thuhej se festivali “DokuFest” ka rritur aktivitetin ekonomik për mbi 2.4 milionë euro. Nëse llogariten edhe shpenzimet për konsum, ndikimi vjetor vlerësohet të jetë mbi 4.7 milionë euro. Në krahasim me analizën paraprake, të vitit 2011, ndikimi në shpenzime është rritur për rreth 24 për qind, kurse numri i vizitorëve për 50 për qind.

Ngjashëm, rritje parashihej edhe në konsum nga 4.7 milionë në vitin 2015, në 6.3 milionë në vitin 2018. Si në vitin 2015, edhe tani përfituesit kryesorë të festivalit janë: bizneset lokale, si: kafe-baret, restorantet, shitësit ambulantë, hotelet, qiradhënësit etj., por edhe bizneset në nivel kombëtar, si avio-kompanitë, bankat apo kompanitë e telekomunikacionit.

Hulumtuesit e GAP-it vlerësonin se ndikimi ekonomik nuk kufizohet vetëm me qytetin e Prizrenit, ngase rritja e aktivitetit ekonomik përmes multiplikatorit qarkullon paranë në tërë Kosovën.

Teksa flet për ndikimin e gjithmbarshëm të festivalit, Nurkollari thotë se ‘DokuFesti” është “i pakrahasueshëm me çfarëdo që ndodh kudo në Kosovë gjatë tërë vitit”.

Image
Shumica e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmave të Shkurtër dhe Dokumentar realizohet gjatë orëve të mbrëmjes, por fryma e tij ndihet edhe gjatë ditës

Kthimi i festës së madhe

“Nuk ka organizim që është në gjendje me sjellë aq shumë vizitorë, aq shumë përfitime materiale e ekonomike. Dhe një organizim që mund të mbushë të gjitha kapacitetet hotelerie për këta dhjetë vjet”, thekson ai, duke shtuar se ndikimi i pandemisë ndërpreu ngritjen e parashikimeve të GAP-it.

Mbajtja online e edicionit të kaluar, sherri i pandemisë së koronavirusit, zbehu frymën që e dallon festivalin.

Por, sivjet është kthyer gjallëria në Shatërvan.

Pronarët e kafeneve thonë se për shkak të fluksit të diasporës dhe “DokuFestit”, as furnitorët nuk ia kanë dalë këto ditë t’ua përmbushin kërkesat për ushqim e pije.

“Në këta 20 vjet të ‘DokuFesti’, çdoherë qyteti është përgatitur ekonomikisht”, thekson Shala. “Çdoherë ‘DokuFesti’ – përveç diasporës që është një motor dhe shtyllë ekonomike – por edhe ‘DokuFesti’ ka sjellë të ardhura materiale goxha të vërejtshme, që janë vërejtur në masë reale”, thekson pronari i njërës prej kafeneve matanë Lumbardhit. Ai thotë se jo vetëm organizatorët dhe prizrenasit i janë gëzuar kthimit të organizimit fizik të festivalit. “Është vërejtur se të gjithë janë më të gëzuar”, thekson Shala.

Ndihma nga komuniteti dhe puna e madhe ua ka dhënë organizatorëve besimin për të vazhduar dhe kësisoj çdo vit janë rritur më shumë.

Image
Fryma e festës ndihet sidomos në zonën historike të qytetit. Aty ku edhe dhjetëra e mijëra shikues shohin më shumë se 200 filma nga e mbarë bota. “Lumbardhi” jua ofron freskinë e këtyre ditëve të nxehta verore. Kalaja sipër, kurorë e qytetit që gërsheton trashëgiminë e kulturave dhe civilizimeve të ndryshme

Përvojat e 150 bluzëverdhëve

Festivali numëron 150 vullnetarë, që spikasin edhe midis turmës me bluzat e tyre të verdha.

Janë një prej shtyllave kryesore të zhvillimit të “DokuFestit”. Kontribuojnë në departamente të ndryshme dhe mundësojnë realizimin madhështor të festivalit. Vullnetarët ndihmojnë në menaxhimin e kinemave, në qendrën e mediave, në mikpritjen e mysafirëve dhe aktivitete si, në DokuDaily, DokuKids, DokuShop dhe Doku TV. Kryesisht janë prizrenas, por ka edhe të vendeve të tjera, si Ajshe Gavazi nga Kaçaniku i shoqëron dhe i informon turistët nëpër mjedise të ndryshme të festivalit.

“Zakonisht i pyesim për vendlindjen e tyre, ose pse kanë ardhur, cila është arsyeja kryesore që po rrinë në Prizren, pse po u pëlqen Prizreni, a e dinë ndonjë fjalë shqip dhe me na tregu ndonjë fjalë në gjuhën e tyre”, thekson Gavazi, e cila gjatë ditës i shoqëron të huajt nëpër pika të ndryshme të festivalit.

“Mua më ka rënë me njoftë shumë njerëz të nacionaliteteve të ndryshme, dhe janë njerëz shumë të kulturuar”, thekson Fis Bekçeli, vullnetari tjetër i festivalit. “Do të thotë i shoh qysh hyjnë, qysh sillen, janë gjëra që i sheh vetëm nëpër filma. Janë njerëz me kultura shumë të mira”.

Gjuhë të ndryshme dëgjohen nëpër rrugicat e kalldrëmta të Prizrenit. Dominojnë vizitorët turq. Pos që përcjellin aktivitetet e “DokuFestit”, po vizitojnë pikat kryesore turistike.

Mahnitja e çiftit indonezian

Tammy dhe Adrian Samuel Saputto, çift indonezian, kanë shijuar të mërkurën akullore në “Shatërvan” teksa kanë vizituar disa prej pikave më të rëndësishme historike të qytetit.

“Ka një përzierje shumë interesante të arkitekturës. Natyrisht se ka shumë ndikim të arkitekturës osmane, dhe ne po e shohim, por njëherësh është evropiane dhe përnjëmend është interesante të shohësh përzierjen ndërmjet xhamive, kishave dhe natyrisht se lart ndodhet edhe kalaja, ku mund të shihni panoramën tepër të bukur të Prizrenit”, thekson Adriani, që ndërpritet nga bashkëshortja Tammy: “Dhe kjo xhamia këtu vërtet është e bukur brenda. Është vërtet e mrekullueshme. Ne kemi dëgjuar për ‘Dokufestin’ në autobus dhe kur erdhëm këtu e morëm vesh më mirë, më vjen keq që nuk e vizituam, por duam ta vizitojmë dhe të kalojmë kohë këtu, sepse duket ngjarje interesante, apo jo?”

“Neve përnjëmend na pëlqen arkitektura e Prizrenit dhe vërtet na pëlqen edhe historia, njerëzit. Atmosfera këtu thjesht është mahnitëse. Dhe, po gjithçka këtu është shumë e gjallë, vërtet është e mrekullueshme këtu”, shton Adriani.

Komunikimi me botën, “shpirti i festivalit”

Gazetarja Alberina Haxhijaj, thotë se festivali po ruan traditën e përzgjedhjes së filmave jokomercialë, duke u dhënë hapësirë kineastëve që trajtojnë tema të margjinalizuara shoqërore. Ajo thotë se edhe sukseset e kineastëve të Kosovës në skenën ndërkombëtare janë të lidhura me ndikimin e “DokuFestit”.

Ata që në Kosovën e pasluftës synonin vetëm të ngjallnin jetën kulturore në qytetin e tyre, 20 vjet më vonë, “DokuFestin” e kthyen në festivalin më të madh në vend, me 6 kinema që ndezin projektorët në çdo edicion.

“Mendoj se institucionet gjatë këtyre dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetëve të kaluar, nuk kanë pasur aftësinë me kuptu sa mund të jetë i dobishëm investimi në ngjarjet si ‘DokuFest” për promovimin e këtij vendi ndërkombëtarisht”, thekson Nurkollari.

“DokuFesti” duhet të vazhdojë të ruajë frymën e sjelljes së filmave që vazhdojnë komunikimin e Kosovës me botën, ngulmon Haxhijaj. “Mendoj se më e rëndësishmja është mbajtja e këtij shpirti të festivalit, e që është mbajtja e komunikimit të ndërsjelltë mes njerëzve”, thotë ajo.

“DokuFesti” padyshim se është pika qendrore e ngjarjeve kulturore në Kosovë. Pos që lidh botën e filmit me Kosovën, nëpërmjet këtij organizimi, Kosova e vogël u bë pjesë e hartës kulturore të globit.