Arbëri

Personat me aftësi të kufizuara ankohen për mosrritje të pagesës mujore prej më shumë se një dekade

Personat me aftësi të kufizuara kanë shprehur ankesat për lartësinë e pensioneve mujore që u takojnë me ligj. Të verbrit dhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë thonë se 125 eurot që marrin në muaj janë të pamjaftueshme.

Ligji për personat e verbër është miratuar në 2012-n, në bazë të të cilit atyre u takojnë nga 125 euro në muaj, shumë që korrespondon me pagën minimale.

Një nga qytetaret që merr këtë nivel pagese është Bajramshahe Jetullahu, ajo thotë se shuma është e pamjaftueshme për të e edhe për shoqëruesin që i takojnë 125 euro.

“Në 2013 kemi startu, prej 2013 e deri më sot që është tmerr me i thanë dikujt, kur më pyet dikush prej jashtit sa është kompensimi i verbërisë? Tmerri i botës. 125 euro i kom kompensim të verbërisë. 125 euro janë për shoqëruesin. Ku ta gjejmë një shoqërues që vjen me qenë p.sh. 24 orë”, tha Jetullahu. 

Jetullahu thotë se me shumën që siguron nga shteti nuk ia del.

“E kushtet janë katastrofë, po edhe për vetveten 125 euro p.sh. mua më shkojnë pika të syve për një muaj, e tensioni e këto tjerat. Mirëpo as qeveritë e mëhershme e as kjo qeveri e sotit nuk qan kokën për neve. Është një tmerr. Rrisin rrogat për veti, kurse për neve nuk mendon askush hiç”, tha ajo. 

Krahas Ligjit për të verbër, që nga 2017-a ekziston edhe ai për personat paraplegjikë e tetraplegjikë përmes së cilit përfitueseve u është njohur kompensimi me nga 150 euro në muaj.

Vitin e kaluar Qeveria vendosi ta rriste pagën minimale nga 170 në 264 euro, por përjashtoi nga rritja të verbrit, paraplegjikët e tetraplegjikët, si dhe veteranët.

Ndryshimet ligjore u kontestuan në Gjykatën Kushtetuese. E, ndonëse Kushtetuesja para dy muajsh njoftoi se s’gjeti shkelje në të, ai ende nuk figuron i publikuar në gazetën zyrtare.

Në shoqatën “HANDIKOS” thanë se janë të painformuar se çfarë është duke u bërë në funksion të rritjes së të ardhurave mujore.

“Prej vitit 2017 asnjë rritje nuk ka, tash paramendoni ta marrim shembull sa janë rritur çmimet, inflacioni, po edhe vetë puna, d.m.th. të ardhurat diku diku janë ngritë ndërsa te këta persona, te këto grupe fare nuk ka asnjë lëvizje”, tha Afrim Maliqi, drejtor i shoqatës “HANDIKOS”.

Ministria e Financave dhe as Qeveria nuk u përgjigjën në pyetjet e KOHËS rreth kompensimit të personave me aftësi të kufizuara.

Përgjigje konkrete nuk dha javën e kaluar as zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna, kur u pyet në emisionin “60 Minuta” të KTV-së. 

“Të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizume, përfshirë edhe të verbrit, edhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë do të jenë elaborim të plotë kur të kemi draftligjin për personat me aftësi të kufizume në nivel vendi, për të gjitha kategoritë”, tha Dobruna. 

Rritja e pagës minimale nëpërmjet ndryshimeve ligjore, nga të cilat nuk përfituan edhe shumë kategori, pati nxitur edhe protesta para Qeverisë.